Superliga, fiton Flamurtari e Teuta

17/11/2012 19:10

Flamurtari i shkaktoi humbjen e parë në këtë kampionat Kukësit, duke mposhtur ekipin verior me rezultatin 2-0, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Superligës Shqiptare.

Vlonjatët e trajnerit Rubio bënë diferencën duke shënuar nga një herë në secilën pjesë, nëpërmjet kroatit Davor Bratiç dhe me penallti, me Migen Memellin.

Ndërsa, në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta siguroi një fitore të lehtë ndaj kundërshtarëve ballshiotë, Bylisit, të nënshtruar nga dygolëshi i Nikës dhe rrjeta e Xhafajt. Me këtë tripikësh, duke përfituar nga disfata e kuksianëve, durrsakët ngjiten në vendin e dytë, në kuotën e 20 pikëve.

Vazhdon paraqitja zhgënjyese e Tomorit të Beratit, që në shtëpi përsëri nuk arrin të gjejë fitoren e parë në këtë kampionat. Beratasit barazuan 1-1 me Luftëtarin e Gjirokastrës.

Ditën e nesërme, do të zhvillohen ndeshjet e tjera të Superligës, të cilat janë: Shkumbini-Laçi, Tirana-Apolonia, Kastrioti-Skëndërbeu dhe Besa-Vllaznia.

Kjo është renditja aktuale e Superligës Shqiptare
                       Ndeshje Pikë
1. Skëndërbeu       9      21
2. Teuta                11    20
3. Kukësi               10    18
4. Laçi                   10    17
5. Tirana               10    16
6. Flamurtari          10    15
7. Bylis                  11    15
8. Vllaznia             10    15
9. Besa                 10    15
10. Kastrioti           10    12
11. Luftatari          11    11
12. Shkumbini       10    7
13. Apolonia         10     5
14. Tomori            11    5

Top Channel