“Gjejmë rastin që media është këtu dhe të njoftojmë gjyqtarin Neritan Tabaku të vijë në mbledhje, për të shqyrtuar masën disiplinore ndaj tij”.
Në këtë mënyrë, pas mëse katër orësh mbledhje të stërzgjatur, pika e 12-të në rendin e ditës për gjyqtarin Neritan Tabaku, as që ishte e mundur të diskutohej për shkak të mungesës së gjyqtarit, adresa e të cilit po kthehet në një lojë me autoritetet shqiptare.
Për këtë, çështja ndaj tij është shtyrë për në një mbledhje të posaçme ndaj Tabakut ku, pas heqjes së imunitetit nga Këshilli dhe pezullimin nga detyra, kërkohet edhe shkarkimi.
Presidenti Bujar Nishani, nga poltroni i kreut të KLD-së, deklaroi se askush nuk mundet të sjellë pengesa proçeduriale për KLD-në.
“Unë dua të garantoj çdo anëtar të KLD-së dhe çdo qytetar të këtij vendi, se ne do të qëndrojmë në mënyrë të palëkundur, për të hetuar e gjykuar çdo shkelje që i bëhet ligjit, në dëm të sistemit të drejtësisë dhe në dëm të së drejtës së shqiptarëve. Jam plotësisht dakord me sugjerimet që bënë anëtarët, që duhet të respektojmë maksimalisht KLD-në, në çdo element proçedurial. KLD do të mblidhet në një tjetër ditë të posaçme, vetëm me një pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e masës disiplinore të këtij gjyqtari”, tha Bujar Nishani.
Në këtë pikë, i ashpër ishte në qëndrimin e tij edhe Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.
“Gjyqtari, në mënyrën më të papërgjegjshme, i shmangej marrjes së njoftimit, duke u fshehur një herë në një vend e duke fikur celularin në anën tjetër, duke bërë siç bëjnë të pandehurit e gjyqeve në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Unë gjykoj se nuk mund të lejojmë, që askush të vërë në lojë KLD-në”, u shpreh Eduard Halimi.
Gjatë mbledhjes së anëtarëve të KLD-së, pati mjaft diskutime edhe për inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në lidhje me pikëpamjet e ndryshme mes anëtarëve, nëse duhet apo jo t’i nënshtrohet reformës.
KLD njoftoi se një nga inspektimet tematike në gjykatë do të jetë për vendimet ndaj urdhrave të mbrojtjes, duke qenë se dhuna në familje paraqitet mjaft shqetësuese. Por, anëtarët kërkuan gjithashtu edhe një inspektim, se cila është politika ndëshkuese e gjyqësorit ndaj armëmbajtjes pa leje.
U miratua gjithashtu kërkesa e ish anëtarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Artan Laze, për t’u rikthyer në detyrën si gjyqtar.
Top Channel