Pranë Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian janë regjistruar 140 amendamente, ndaj tekstit fillestar prej 4 faqesh të raportuesit Nikolaos Chountis, dhe një pjesë e mirë e tyre pritet të ndryshojnë sërish, duke u shndërruar në amendamente kompromisi për rezolutën ndaj Shqipërisë.
“Mbështetëse e fshikulluese”, si të gjitha rezolutat e këtij institucioni, nëpërmjet ndryshimeve të propozuara nga një grup shumë i vogël eurodeputetësh kërkohet dhënia e statusit kandidat, por përmenden gjithashtu fushat më problematike në vend.
Statusi
Vigenin: “PE përsërit mbështetjen e plotë për anëtarësimin e ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndan vlerësimin e Komisionit se vendit duhet t’i jepet statusi kandidat në vitin 2012, sapo të jetë arritur progresi i duhur në lidhje me prioritetet afat-shkurtra”.
Zgjedhjet
Fajon: “PE i bën thirrje qeverisë dhe të gjitha forcave politike në Shqipëri, të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme, si një ngjarje kyçe vitin që vjen, duke dëshmuar pjekurinë e vendit”.
Gjyqësori
Kukan: “PE vëren progresin e kufizuar në reformën në gjyqësor dhe i bën thirrje autoriteteve të garantojnë pavarësinë dhe integritetin e vërtetë të një gjyqësori të lirë nga ndërhyrjet politike dhe nga korrupsioni”.
Në ndryshimet e propozuara, spikasin amendamentet e kreut të delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, për 21 janarin dhe grevën e të burgosurve politikë.
Kukan: “PE nënvizon se ngjarjet e janarit 2011 duhet të ndiqen pa vonesa dhe pengesa të mëtejshme dhe nëpërmjet hetimeve gjithëpërfshirëse e të pavarura kriminale, si dhe me proçedura të besueshme gjyqësore. PE është gjithashtu i shqetësuar nga situata e ish-të burgosurve politikë që demonstruan. I bëjmë thirrje autoriteteve kompetente të zbatojnë plotësisht ligjin për kompensimin e ish-të burgosurve politikë”.
Një tjetër pikë problematike për disa eurodeputetë është liria e medias.
Fajon: “PE është i shqetësuar nga ndërhyrja direkte e qeverisë në emërimet menaxhuese të televizionit publik dhe se pavarësia editoriale nga qeveria nuk është përforcuar. PE i bën thirrje qeverisë t’i lejojë mediat të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe objektive, pa presione politike dhe ekonomike”.
Të enjten, eurodeputetët e Komitetit të jashtëm pritet të debatojnë në Bruksel rreth ndryshimeve të propozuara, para se t’i votojnë ato më 22 nëntor në Strasburg. Rezolutat e Parlamentit janë vetëm këshillimore, por në rastin e Shqipërisë, nuk do ta luajë as këtë rol, pasi votimi përfundimtar do të bëhet në seancën plenare të javës së dytë të muajit dhjetor, pas vendimit të këshillit të ministrave për dhënien apo jo të statusit kandidat për Shqipërinë.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel