Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve, në bashkëpunim me Fondacionin Europian për Studime Progresive dhe Forumin Europian për Demokraci dhe Solidaritet, botuan në Bruksel librin me temë “Zgjerimi i BE-së, viti 2012”. Një angazhim progresiv”.
Shqipëria nuk përfshihet në këtë studim, që flet për shumicën e vendeve aspirante për në BE. Por, vendi u përmend nga Presidenti i së majtës europiane, Hannes Swoboda, gjatë drekës së punës me gazetarë nga vendet e proçesit të zgjerimit.
“Në Shqipëri, qeveria duhet të zbatojë premtimet e dhëna. Do të shohim si do të zhvillohen zgjedhjet e vitit 2013 e më pas BE do të mbajë angazhimet e saj. Roli i qeverisë është të zbatojë ligjet, ndërsa i opozitës që të ndihmojë në votimin e tyre”, deklaroi Hannes Swoboda.
Sipas presidentit të së majtës europiane, vendet që aspirojnë të integrohen në BE duhet t’i bëjnë detyrat para se të anëtarësohen, pasi pas anëtarësimit, një gjë e tillë është më e vështirë, siç tregon shembulli i Bullgarisë dhe Rumanisë.
I pyetur në lidhje me problemin e mungesës së zbatueshmërisë së ligjeve e mbi të gjitha në lidhje me problemin e veçantë të mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, Hannes Swoboda kujtoi shembullin e revolucionit në Serbi të udhëhequr nga shoqëria civile, duke insistuar se ndryshimet vijnë gjithnjë vetëm nga brenda vendit dhe se ato nuk mund t’i sjellë Bashkimi Europian.
“Parlamenti Europian duhet të forcojë vëzhgimin dhe monitorimin. Ne përpiqemi të shoqërojmë vendet në rrugën e tyre të vështirë. Por Shqipëria është një vend që i reziston shumë shoqërimit tonë”, vlerësoi Swoboda.
Në lidhje me çështjen e vizave, ai kërkoi që vendet e Ballkanit të luftojnë abuzimet, ndërsa vlerësoi se njerëzit largohen për shkak të papunësisë dhe mungesës së perspektivës ekonomike.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel