Ka çelur dyert në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet Panairi i librit “Tirana 2012”, i organizuar këtë vit për të 15-n herë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
Eventi do të jetë i hapur për publikun deri në datën 18 nëntor. Në të do të ekspozojnë botimet e tyre rreth 100 pjesëmarrës, ndër të cilët mbi 30 nga Kosova e Maqedonia. Ndër 60 mijë botimet e paraqitura bëjnë pjesë rreth 1500 libra të rinj, të hedhur në treg gjatë këtij viti, botime për më të vegjlit si dhe mjaft libra historikë dedikuar 100-vjetorit të Pavarësisë.
Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, deklaroi: “Sot po shkohet drejt librit elektronik, por nuk ka gjë më të qëndrueshme se sa libri i shtypur në letër që mund të shfletohet.”
Këtë herë, pjesë e aktivitetit do të jenë edhe shumë institucione, ndër të cilët Biblioteka Kombëtare, Ambasada e Spanjës, SHBA-së dhe Francës, si dhe Instituti Italian i Kulturës. Evenimenti kulturor mbështetet për të dytin vit radhazi nga Bashkia e Tiranës. Kryetari i saj Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoninë e hapjes, është shprehur se ka ardhur koha që të bëjmë më shumë për librin: “Bashkia e Tiranës së shpejti përfundon planin urbanistik, ku kemi vendosur ndërtimin e një biblioteke të re për kryeqytetin.”
Gjithashtu Basha pohoi se bashkia do të mbështesë të gjithë ata që duan të hapin një librari, duke vënë në dispozicion hapësirat publike dhe duke u shoqëruar së shpejti edhe me ofrimin për disa kategori në kryeqytet me eleminimin e çdo takse lokale në mënyrë të përhershme për shitjen e librit në Tiranë.
Top Channel