Bisedimet e BE-së mbi buxhetin e vitit të ardhshëm kanë arritur në një ngërç, me qeveritë e vendeve anëtare që refuzojnë kërkesat për para shtesë.
Kriza vjen vetëm një javë përpara samitit që ka si qëllim të hartojë planet e shpenzimeve të BE-së për shtatë vitet e ardhshme.
Europarlamentarët refuzuan të ndiqnin bisedimet të martën mbrëma për shkak se qeveritë nuk miratuan një ekstra prej 9 miliardë eurosh për forndet e emergjencës për këtë vit.
Tani, Komisionit Evropian do t’i duhet të riformatojë planin e buxhetit për vitin 2013. Nëse nuk do të ketë një marrëveshje përpara janarit, buxheti aktual do të tkurret muaj për muaj.
Çdo rritje e shpenzimeve në një rast të tillë do të kërkojë marrëveshje mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian.
Në vitin 2012, buxheti për bllokun prej 27 vendesh ishte 129.1 miliardë euro, ose 1.9 për qind më shumë se në vitin 2011.
Korrespondentët thonë se Britania, Danimarka, Holanda dhe Suedia po përpiqen shumë që BE të kufizojë shpenzimet.
Gjatë një vizite të zhvilluar në Itali ditën e martë, kryeministri britanik David Cameron nuk mori mbështetje nga homologu italian Mario Monti për qëndrimin e tij rreth buxhetit.
“Pozicioni ynë ka elementë që nuk përputhen”, deklaroi Monti, që dikur ka qenë një komisioner i Bashkimit Evropian. “Ne nuk jemi të bindur ashtu si Britania për nevojën e një shkurtimi të mëtejshëm”, shtoi ai.
E gjitha kjo ndodh kur vala e zemërimit mbi masat shtrënguese financiare bashkoi sindikatat më të mëdha të punonjësve në Europë me protesta të përgjithshme që hodhi në rrugët e Kontinentit të Vjetër mijëra njerëz.
Top Channel