Në një intervistë dhënë gazetarit Sokol Balla, ministri i Jashtëm i Kosovës, zoti Enver Hoxhaj refuzon si të papranueshëm për Kosovën modelin e dy Gjermanive në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë.

Ai thekson se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të rregullohen duke patur parasysh që janë dy shtete të pavarura.

Ai bën të ditur se në vizitën e zhvilluar në Tiranë ka diskutuar për mundësinë e një marrëveshje të rëndësishme me Shqipërinë, që do të nënshkruhet në muajin janar.

”Konkretisht biseduam se si mund të ketë një bashkëpunim më të mirë midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë dhe iniciuam idenë e nënshkrimit të një protokolli të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, që do të përfshijë edhe bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, tregëtisë, arsimit, kulturës e deri tek turizmi. Besojmë se një protokoll i tillë do të nënshkruhet në janarin e vitit 2013, me qëllim që midis vendeve tona të ketë një bashkëpunim më të rregullt”, nisi intervistën e tij Hoxhaj, duke iu referuar takimit të fundmit të zhvilluar në Tiranë.

Sokol Balla, “TCH” – Besoj se me afrimin e fushatës elektorale në Shqipëri, Kosova nuk do t’i shpëtojë dot përfshirjes, edhe pa dashjen e saj në këtë fushatë. Po dëgjoja liderin e opozitës, Ramën, i cili dy ditë më parë në Prishtinë propozonte dogana të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, në një kohë kur tashmë ka edhe nisma të tjera të përbashkëta të ndërmarra nga të dy qeveritë. Mendoni se Kosova duhet të qëndrojë jashtë fushatës elektorale në Shqipëri?

Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës – Mendoj se fushatat elektorale, si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri, janë të vetmet që ndajnë dy vendet tona. Ne kemi sisteme të ndryshme politike, si shtete të pavarura dhe elita të ndryshme politike, por për ne është shumë kyçe, në kohën kur ne jetojmë, se si të ketë bashkëpunim të fuqishëm, edhe në nivel të partive politike, edhe në atë të institucioneve. Duhet të kemi gjithashtu një bashkëpunim më të fuqishëm ekonomik, eksport-importe dhe duhet të ketë edhe një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e arsimit. Është absurde përse në kryeqytetin tonë, në Prishtinë, nuk ka më shumë akademikë nga Shqipëria që të japin mësim apo e kundërta. Duhet të ketë bashkëpunim kulturor, pra një promovim të kulturës sonë të përbashkët, mirëpo është normale që fushatat zgjedhore do të jenë ato që do të na ndajnë. Fushatat në Tiranë mbesin fushata të Tiranës dhe ato në Prishtinë, së bashku me çështjet e brendshme, mbesin në Prishtinë.

Sokol Balla – Zoti Hoxhaj, i rikthehemi çështjes së raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit, që është lajm i ditës edhe në shumë media botërore, e jo më në vendet tona. Ka një propozim, se Kosova dhe Serbia mund të luajnë modelin e dy Gjermanive, pra me ngritjen e zyrave të ndërlidhjes dhe fqinjësisë së mirë. Ky lloj propozimi, i cili ka pasur kundërshtime, duket se është pritur më mirë nga pala juaj dhe ju konkretisht, duke qenë se ofron edhe një formulë interesante për Organizatën e Kombeve të Bashkuara. A mendoni realisht se modeli i dy Gjermanive, përbën modelin e një qasje të ardhshme midis Beogradit dhe Prishtinës?

Enver Hoxhaj
– Unë dua të bëj të qartë që vitin e kaluar unë kam kundërshtuar një model të tillë, që duhet të përdorej në funksion të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kam kundërshtuar këtë propozim edhe përpara dy javësh në Prishtinë dhe vazhdoj ta kundërshtoj edhe ditën e sotme, pasi një model i tillë nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova është një shtet i pavarur, me kushtetutën dhe ligjet e saj dhe ky normalizim i marrëdhënieve mund të ndodhë vetëm nëse të dy shtetet ulen në tryezën e bisedimeve si të pavarura dhe të barabarta. Kuptohet që ka pasur edhe propozime për të përdorur si model traktatin e Elizesë, midis Francës dhe Gjermanisë. Modele të tilla mund të jenë interesantë në faktin se përveç normalizimit të raporteve në aspektin politik, ndodh edhe një pajtim real midis dy shteteve e popujve, me tejkalimin e të kaluarës. Por, të gjithë këto modele i takojnë historisë dhe ajo që mund të them sot është që nuk ka dy entitete politike, nuk ka dy Shqipëri, nuk ka dy Kosova, nuk ka dy Serbi, por ka një Kosovë të pavarur, Shqipëri të pavarur dhe Serbi të pavarur. Ndaj normalizimi i raporteve midis dy shteteve mund të ndodhë vetëm me modelin e dy shteteve sovrane dhe të pavarura. Modelet e spekuluara janë të paaplikueshme, të panevojshme dhe të panevojshme për Kosovën dhe Serbinë në këtë situatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA