
Ndryshim i papritur në lidershipin e Microsoft. Është larguar Steven
Sinofsky, që ka menaxhuar zhvillimin e Windows 8, sistemi i ri operativ i
lançuar vetëm pak javë më parë.
Sinofsky do të zëvendësohet nga Julie Larson Green, që ka punuar për zhvillimin e shërbimit të fundit, ka njoftuar vetë Microsoft, që nuk ka zbardhur motivet e lamtumirës së drejtuesit.
Kolosi i informatikës ka sqaruar vetëm se ndryshimet duhet të sjellin prezantimin e një brezi të ri produktesh.
Numri 1 i Microsoft, Steve Ballmer ka përshëndetur Sinofsky-n duke thënë se, “produktet e fundit të Windows kanë shënuar fillimin e një epoke të re për grupin”.
Megjithatë, Ballmer ka shtuar se, “për të vazhduar suksesin, faza e zhvillimit të produktit duhet të jetë më e shpejtë”.
Nga ana e tij, Sinofsky ka vlerësuar profesionalizmin dhe bujarinë e kolegëve të tij dhe ka thënë se Microsoft është një kompani fantastike.
Në fund të tetorit, Microsoft, përveçse prezantoi sistemin e ri operativ Windows 8, nxorri në treg edhe tabletën Surface, shitja e të cilës, siç tha padashur në një intervistë vetë Ballmer, kanë qenë modeste.
Top Channel