Vizatimet e Lasgush Poradecit

09/11/2012 00:00

25-vjetori i ndarjes nga jeta i Lasgush Poradecit është veçse një rast më shumë për ta risjellë mes nesh poetin e madh, kësaj here me fjalë të materializuara në 53 vepra.

Janë piktura dhe vizatime, pasion për të cilin Lasgushi studioi për tre vjet në Akademin e Arteve të Bukura e që sidoqoftë nuk e mori kurrë seriozisht.

Maria Poradeci, e bija e poetit, thekson: “Ai thonte gjithmonë që dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen. O piktor i madh, o poet i madh. Ai e ndjente veten më shumë poet. Kjo ekspozitë ka piktura që babai i ka bërë në moshën e rinisë.”

Sigurisht fituam një poet të madh, por ndoshta humbëm një piktor po aq të madh. Mes shumë portrete femrash, një pjesë të dëmtuara nga koha dhe që kanë nevojë për restaurim, spikat një tablo e Bet’hovenit, një portret i Krishtit dhe vizatimet në miniaturë për Kutelin, Cabejin, Skiroin apo Naim Frashërin.

Shumë piktura të koleksionit të Lasgushit kanë humbur. Ato mbetën në Rumani, tek i vëllai, si gur të munguar të një gjerdani të çmuar. Cerek-shekulli pas ndarjes nga jeta, bashkë me albumin e pikturave të të atit, të bijat Maria dhe Konstandina kanë botuar dhe vëllimin e pestë të veprës së plotë të Lasgush Poradecit.

Ky volum përfshin korrespondencën e plotë me Asdrenin, letrat e shkruara përgjatë viteve 1925-1933 që dëshmojnë jo vetëm për miqësinë e jashtëzakonshme mes tyre, por edhe ndihmën morale dhe materiale që Asdreni i ofroi Lasgushit në kohëra të vështira.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA