“Tano Karidi” në Tiranë

09/11/2012 20:05

Ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë si i ftuar nderi në natën finale të ndarjes së çmimeve të Festivalit të 13të Filmit shqiptar, aktori i mirënjohur italian Remo Girone.

Publiku shqiptar e njeh atë më së tepërmi për rolin e tij të famshëm në serialin La Piovra, ku Girone ka portretizuar më së miri mafiozin Tano Karidi.  “Ishte hera e parë që u trajtua aq hapur në një film historia e mafias për të cilën më pas u fillua të flitej edhe në shtyp”, është shprehur Girone duke shpjeguar popullaritetin e serialit.  

Ndërsa për personazhin e tij ka pohuar se e ka bërë të suksesshëm sidomos me gratë sepse atyre ju pëlqejnë burrat e fuqishëm dhe se me gjithë negativitetin e tij, ai ka qenë interesant sepse kishte karakteristika humane.  

“Kinemaja italiane mban një qëndrim mjaft kritik ndaj politikës në Itali. Megjithatë kinemaja dhe filmi kanë ndryshuar. Ajo industri kinematografike e mëparshme nuk ekziston më sepse televizioni ka përfshirë të gjitha gjërat që bëheshin më parë nga kinemaja. Kam mbaruar Akademinë e Teatrit në Romë dhe për shumë vjet bëja vetëm teater sepse karriera e atjeshme më jepte më shumë siguri. Tani nuk është e njëjta gjë, por sidoqoftë mendoj të kthehem sërish tek teatri ku kam luajtur shumë role, por mbase pas pak kohësh”, theksoi Girone.

Megjithëse ka pohuar se kjo është vizita e tij e parë dhe se në Shqipëri e ka sjellë ftesa e bërë nga miku i tij dhe krijuesi i Festivalit të Giffoni-t, Claudio Gubitosi, Z.Girone është shprehur se nuk do të përjashtonte faktin që të bënte një film edhe në Shqipëri nëse i bëhet një ofertë e tillë e cila përmban edhe  skenarin e duhur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA