Regjisori i Teatrit të Operas dhe Baletit, Nikolin Gurakuqi, u shpreh se kohët e fundit opera po ndiqet gjithmonë e më shumë nga të rinjtë.
I ftuar në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel’, Gurakuqi deklaroi se Shqipëria ndryshon nga vendet e tjera, ku publiku i operas përbëhet kryesisht nga mosha e tretë.
“Tipar dallues në vitet e fundit është që edhe të rinjtë po interesohen për opera. Kur ka shfaqje të bukura, të rinjtë vijnë të shohin. Kjo gjë nuk ndodh as në Perëndim, ku vetëm moshat e treta i ndjekin shfaqjet. Gëzohem që e shoh sallën të mbushur me të rinj”, theksoi Nikolin Gurakuqi, i cili rrëfeu se ka pasur kontaktin e parë me operën kur ishte 5 vjeç, pasi i ati (Luigj Gurakuqi) ishte regjisor.
“Kam nisur të shoh shfaqje që në moshën 5-vjeçare sepse babai im ishte regjisor. Në vitin 1990 kam bërë veprën time të parë të pavarur. Unë jam më impulsiv dhe më kokëfortë se babai, këshillat e të cilit i kam ndjekur gjithmonë sepse ishte më i arsyeshëm se unë. Tipari dallues i shfaqjeve të mia është se dy shfaqje nuk janë njësoj. Gjithashtu nuk e shpërfytyroj shfaqjen, por vetëm mundohem ta modernizoj. Nëse vë në skenë Otellon, i përmbahem origjinalit sepse Otello është Otello, nuk ke si ta ndryshosh”, u shpreh Gurakuqi.
Në fund, regjisori deklaroi se së shpejti, pas disa vitesh mungesë për arsye të një drame familjare, do të vërë në skenë operan Toska.
Top Channel