Argjentinë, protesta masive kundër qeverisë

09/11/2012 04:22

Aktivistë opozitarë kanë përdorur rrjetet sociale për të mobilizuar marshimin, që sipas tyre ishte një nga protestat më të mëdha anti-qeveritare në dekadën e fundit.

Pjesëmarrësit thanë se ishin të irrituar prej inflacionit në rritje, nivelit të lartë të krimit dhe rasteve të shumta të korrupsionit të drejtuesve të lartë.

Presidentja Fernandez u rizgjodh nga pjesa dërrmuese e popullsisë, për një mandat të dytë në vitin 2011. Por mbështetja ndaj saj ka rënë ndjeshëm, duke u bërë shkak për protesta, për shkak të disa prej politikave të ndjekura prej saj.

Shifrat zyrtare tregojnë se inflacioni është 12%, por analistët thonë se me shumë mundësi, kjo shifër është më e lartë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi Argjentinën në shtator se, në rast se nuk do të jepte shifra të besueshme të inflacionit deri në dhjetor, atëherë do të përballej me sanksione.

Protestuesit shprehën gjithashtu kundërshtimet e tyre ndaj kufizimeve të ndërmarra vitin e kaluar, të përforcuara edhe më shumë këtë vit, për blerjen e dollarit, gjë që e ka bërë më të vështirë për argjentinasit, e shqetësuar për inflacionin, të shkëmbejnë monedhën e tyre.

Qeveria tha se rënia e ekonomisë së Argjentinës vinte për shkak të krizës financiare globale, më shumë se sa prej politikave të tyre.

Mbështetës të presidentes Fernandez thanë se protestuesit po drejtohen nga njerëz të shtresave të mesme e të larta, të shqetësuar për humbjen e privilegjeve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA