Privatizimi i OSSH-së, dështim dhe krim

08/11/2012 00:00

Pajtim Bello – CEZ, për më se gjysmë viti, gjendet nën stuhinë e
goditjeve të qeverisë, e cila ka mobilizuar të gjitha institucionet
kundër CEZ, deri dje beniamin i qeverisë dhe Kryeministrit. Qeveria dhe
CEZ, në nisje si dy foshnja siameze, ishin dy faqe të së njëjtës
medalje.

Përse vallë kjo situatë dramatike në tregun e energjisë elektrike? Çfarë ka ndodhur që me kaq nxitim e patos kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale me një risk shumë të lartë, për të ndarë dy foshnjat siameze? Kush janë fajtorët, cilat janë shkaqet dhe a ka një zgjidhje për të shpëtuar tregun e energjisë elektrike nga ky kolaps shumëdimensional? Le ta themi haptas apo shqeto, siç thotë populli. Përgjegjësia kryesore qëndron te politikat e mbrapshta të qeverisë “Berisha”, që nën petkun e reformave “të mëdha e të suksesshme” kanë krijuar këtë situatë dramatike në një treg strategjik. Është shumë e afërt koha, kur Kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ruli, mburreshin me “suksesin” e privatizimit të OSSH-së, duke e prezantuar këtë “sukses” si shtyllën kryesore të reformës në sektorin energjetik. Ende është e freskët në kujtesën e shqiptarëve zhurma, sharja, presioni mediatik dhe ideologjik që qeveritarët lëshuan mbi kundërshtarët e një privatizimi jo profesional dhe tërësisht politik. Qeveritarët si argument për privatizimin e OSSH-së sillnin konsulencën e Bankës Botërore, pa qenë në gjendje t’i jepnin shpjegimet e duhura. Aktin e privatizimit e propaganduan si shpëtim të tregut të energjisë elektrike, a thua se privatizimi ishte një magji që do të bënte çudira. Gabimi kryesor i privatizimit mbetet mossjellja e OSSH-së në kushtet optimale për një privatizim të suksesshëm. Suksesi i privatizimit nuk matet me faktin se është siguruar një blerës, por nga rezultatet pas privatizimit. Rezultatet pas privatizimit gjithmonë janë të lidhura ngushtë me ambientin e tregut ku realizohet privatizimi dhe të tregut rajonal. Kur flasim për kushte optimale për privatizim apo para privatizim, nënkuptohen disa indikatorë thelbësorë të një tregu dhe të ambientit ekonomik, komercial, ligjor dhe të traditës e kulturës në marrëdhëniet e aktorëve të tregut. Momenti i privatizimit të OSSH-së karakterizohej nga indikatorë më të këqij të mundshëm. Shoqëria OSSH ishte me humbje financiare në shifra të konsiderueshme, mbi 100 milionë euro në vit. Ndërkohë humbjet e energjisë elektrike në rrjet ishin në nivelin katastrofik mbi 42 për qind. Arkëtimi i faturave për energjinë elektrike të shitur përjetonte ditë të vështira dhe nuk kalonte mbi 82 për qind. Si rezultat i një keqmenaxhimi politik e korruptiv “shembullor”, OSSH prezantonte fytyrën e një shoqërie në lëngim të rëndë. Në kushte të tilla nuk mund të bëhej fjalë për privatizim, por për një terapi shëruese komplekse që të ngrinte të sëmurin në këmbë e më pas të mendohej për ndonjë shitje të mundshme të saj. Në prag privatizimin e OSSH, kultura e vjedhjes së energjisë elektrike dhe e mospagimit të energjisë elektrike të faturuar ishte në rilulëzimin e vet. Kjo kulturë ishte tipar edhe i politikës qeverisëse, në një shkallë të tillë sa që për një grusht votash faleshin miliarda lekë të faturave të papaguara të energjisë elektrike, të ujit të pijshëm etj. Një epidemi e tillë ishte zyrtarizuar aq sa edhe vetë qeveria nuk paguante (ashtu siç ende nuk i paguan) faturat e energjisë elektrike të konsumuar. Ishte më se e qartë se në ato territore dhe klientë ku nuk mund të futej shteti, nuk kishte asnjë shans të futej një investitor, kushdo që të ishte. Kur vetë shteti ishte një piramidë që funksiononte dhe vazhdon të funksionojë sipas parimit vidh çfarëdo e kudo që të mundesh, si mund të pritej që një investitor i huaj të vendoste kode të reja të sjelljes? Si rrallëherë në jetëgjatësinë e OSSH, qysh nga viti 1950, politika dhe nepotizmi i kishin futur thellë kthetrat në menaxhimin e kompanisë që po privatizohej, si metastaza të kanceri malinj. Kjo sëmundje mbeti një trashëgimi e keqe dhe si e tillë vazhdon të ketë një ndikim serioz në menaxhimin e shoqërisë sot e kësaj dite. Gjendja social-ekonomike e familjeve shqiptare në momentet e privatizimit ishte e keqe dhe niveli i ulët i të ardhurave në buxhetet familjare pa dyshim që do të jepte efekt negativ për suksesin pas privatizim të OSSH. Sot kjo gjendje social-ekonomike është shumëfish më e rënduar. Procesi i privatizimit u iniciua në një prag krize financiare rajonale dhe brenda Shqipërisë, gjë që do të ndikonte në suksesin gjatë dhe pas privatizimit. Numërova disa nga faktorët që paralajmëronin mossuksesin e privatizimit. Qeveria duhej t’u jepte rrugë zgjidhjeje problemeve të mësipërme dhe më tej të procedonte me privatizimin e OSSH. Kur privatizohet një shoqëri në sektorin strategjik, mossuksesi i privatizimit ka kosto të madhe për qytetarët, gjë që tashmë është provuar. Por kostoja më e madhe vërtetohet nëse pas privatizimit kemi mossukses. Nuk është e lehtë të thuhet se CEZ-it do t’i hiqet licenca e operatorit edhe pse qeveria e bën këtë sikur po luan me peta. Qeveria ka gabuar rëndë në momentin e privatizimit të OSSH, por duket se ka gjasa të gabojë shumë më rëndë në këto momente kolapsi në sektorin e energjisë elektrike. Nga një veprim i nxituar, pasojat do të jenë shumë të mëdha dhe vështirësisht të riparueshme. Deklarata publike e ministrit të Financave (kupto e Kryeministrit) nga foltorja e Parlamentit, për heqjen e licencës së operatorit të shpërndarjes “CEZ Shpërndarje”, ka shkaktuar ndikim të madh te konsumatorët e energjisë elektrike, që do të rezultojë me rritjen e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet dhe me uljen e nivelit të arkëtimit të faturave të energjisë elektrike. Asnjë qeveri, sado budallaqe, nuk do ta bënte një deklaratë të tillë shokuese dhe shkatërruese për një kompani që operon në sektorin e energjisë elektrike. Duket se deklarata është bërë me qëllim dhe mbase është nisja e një skenari të ri ogurzi për shqiptarët. Fill pas deklaratës së Bodes në Parlament, situata në terren u agravua, aq sa duket që po del jashtë kontrollit. Pakënaqësitë ndaj CEZ dhe qeverisë shkuan deri aty sa iu vu eksploziv shtyllave në linjën e transmetimit të energjisë elektrike në tension të lartë. Duket se po degradojmë në epokën e revolucionit kundër makinave!… Qeveria mund të çojë në falimentim “CEZ Shpërndarjen” dhe pastaj të gjejë ndonjë “shoqëri amerikane” për t’i falur operatorin e shpërndarjes të energjisë elektrike. Koha ka provuar se makutëria e qeveritarëve nuk ka kufi. Duket se ky skenar mund të aplikohet shpejt. Qeveria “zbardh” faqen para shqiptarëve, se CEZ-in që mundoi shqiptarët qeveria e hodhi përtej kufijve të Shqipërisë dhe kjo i duhet në këtë prag fushate elektorale. Të njëjtin përfitim realizoi kur e solli CEZ-in në Shqipëri dhe tani duket se do të fitojë dy lëkurë nga një dele apo dhi. Që qeveria jonë është e denjë për veprime të tilla, kjo është provuar. Por që Banka Botërore të tërhiqet kaq lehtë për hunde nga qeveria “Berisha”, kjo është e pakuptueshme. Mbase Banka Botërore kërkon të ruajë fytyrën e vet, duke thënë se dështoi CEZ dhe jo procesi i privatizimit të ish-OSSH, ku protagonist janë Banka Botërore dhe qeveria “Berisha”. E vërteta është se zhgënjimi po iu ndodh shqiptarëve dhe ky zhgënjim është ndaj qeverisë për një proces politik tërësisht të dështuar. Nga kjo akrobaci, shqiptarët kanë humbur shumë dhe rrezikojnë të humbin edhe më shumë. Në këtë situatë është qeveria që duhet të reflektojë thellë dhe pastaj të tjerët. Qeveria dhe Kryeministri duhet t’iu kërkojnë falje shqiptarëve, të pranojnë përgjegjësitë e tyre, të ndëshkojnë fajtorët dhe të hartojnë një skenar veprimi për të dalë nga kjo situatë. Shtrirja e gishtit tregues mbi CEZ-in është shmangie nga përgjegjësia dhe nga e vërteta, deri në atë masë sa që mund të çojë në një aventurë të re, ku si gjithmonë do të paguajnë shqiptarët. Qeveria dhe Kryeministri duhet të ndërgjegjësohen e të përgjegjësohen mbi gabimet që kanë bërë dhe të mos rendin në deklarata që prodhojnë vetëm probleme të reja. Zgjidhjet e prezantuara deri sot, kurrsesi nuk janë zgjidhje. Ato, në rastin më të sinqertë, janë lajthitje nga nxitimi dhe padija në një moment të vështirë, kur sistemi dhe tregu i energjisë elektrike janë mbërthyer nga kolapsi. Por jo. Me sa duket zgjidhjet e deklaruara janë vetëm fillimi i një skenari shumë të keq për tërë sistemin elektrik, për ekonominë e vendit dhe për të gjithë shqiptarët. Hapi i parë që duhet të ndërmarrë qeveria është ndalimi i kësaj hemorragjie dhe histerie në rritje, që rrezikon të na hedhë në erë të gjithëve dhe jo vetëm një shtyllë linje apo një nënstacion elektrik. Nëse ky hap nuk hidhet, duket qartë se skenari ogurzi është hartuar dhe është hedhur në zbatim.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA