Interpreton një nga të “këqinjtë” më të mëdhenj në historinë e filmave të James Bond, por edhe pse në filmin më të fundit të agjentit 007 luan rolin e një krimineli kibernetik, Javier Bardem pranon se nuk e ka idenë e përdorimit të një kompjuteri.
43-vjeçari, i cili është Raul Silva në filmin me regji të Sam Mendes, deklaroi për ‘USA Today’ se nuk di të dërgojë as edhe një e-mail: “Kiberterrorizmi nuk e di çfarë është sepse unë as e-mail nuk dërgoj dot. Jam shumë mbrapa me teknologjinë. Për këtë arsye regjizori e vinte kamerën pas meje kur isha përballë kompjuterit në skenat e filmit.”
Por jo vetëm kompjuterat. Edhe me armët aktori i njohur spanjoll nuk është mirë: “Nuk e dija si quheshin minat. Skenat e mia me armë janë shumë të thjeshta.”
Bardem zbulon se një herë ka refuzuar rolin e të keqit në njërin nga filmat e James Bond (agjenti 007 interpretohet nga Daniel Craig).
“Nuk ishte koha e duhur plus që kisha një film tjetër atëherë me të cilin po merresha dhe refuzova. Por kësaj radhe pranova sapo lexova skenarin”, shprehet Javier Bardem.
Top Channel