Aksidentohet kampioni i Turit, Bradley Wiggins

08/11/2012 16:20

Kampioni olimpik dhe fituesi i Turit të Francës së këtij viti, britaniku Bradley Wiggins, rrezikoi jetën ditën e enjte, kur u përplas gjatë stërvitjes me një automjet në lëvizje.

Si rrjedhojë e impaktit, Wiggins u rrëzua nga biçikleta e tij në mënyrë të dhunshme dhe pësoi thyerjen e disa brinjëve.

Drejtuesja e automjetit ishte ajo që lajmëroi me urgjencë ambulancën dhe asistoi çiklistin, deri në dërgimin e tij në spital, ku pas ekzaminimeve të hollësishme, u verifikua se brinjët e frakturuara ishin i vetmi problem për Wiggins, një prej figurave sportive më popullore në Britani.

Pas trajtimit fillestar, 32-vjeçari u dërgua në shtëpi, ku do të rikuperohet nën një regjim të një pushimi absolut disa-javor.

Fitues i Turit të Francës, i katër medaljeve të arta në tre Lojra të ndryshme Olimpike dhe gjashtë medaljeve të arta në Botërorët e Atletikës, Wiggins konsiderohet gjerësisht si një prej ikonave të sportit britanik dhe spekulohet se së shpejti mund të nderohet me titullin “Sir”, mirënjohjen më të lartë që mund të aprovojë Mbretëresha e Anglisë.

Top Channel