Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu raportoi në Bruksel për zhvillimet në Shqipëri, që kanë të bëjnë me plotësimin e prioriteteve të vendosura nga BE për marjen e statusit të vendit kandidat.
Sipas saj, mos miratimi i ligjeve me 3/5-at e bën të vështirë kërkesën e Shqipërisë për mbështetjen e vendeve anëtare në samitin e dhjetorit.
Ndërkohë, zyrtarët europianë kërkuan sërish që maxhoranca dhe opozita të bashkëpunojnë, pasi kjo sipas tyre është thelbësore për Shqipërinë.
TCH: A është e mundur që gjatë Këshillit të Dhjetorit, Shqipëria të marrë statusin kandidat?
Andreas Mavroyainnis,
zv-Ministër i Jashtëm i Qipros, Presidenca e BE-së: “Nuk është e
përjashtuar. Pra ne duhet ende të vazhdojmë të punojmë dhe do të shohim
se çfarë do të ndodhë. Mendoj se është ende shumë herët për ta thënë,
pasi për momentin ka vende anëtare, që konsiderojnë se kushtet nuk janë
përmbushur plotësisht, por kjo mund të ndryshojë. Pra ne duhet të
vazhdojmë punën”.
Deklarata e zëvendës-Ministrit të Jashtëm të Qipros erdhi pas takimit me Ministren shqiptare për Integrimin Europian, e cila raportoi qëndrimet e qeverisë në Bruksel, përpara disa përfaqësuesve të vendeve anëtare që mbulojnë Ballkanin, Drejtorit të përgjithshëm të Komisionit, Stefano Sanino, si dhe para grupit të punës për Ballkanin në Parlamentin Europian.
Majlinda Bregu, Ministre e Integrimit Europian: “Të gjitha takimet dhe informacionet janë takime për të mbajtur një ritëm informacioni të qetë, të saktë edhe le të themi shumë të ndërgjegjshëm, për atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri, për zbatimin jo vetëm të 12 prioriteteve, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për reformat, apo për pjesë të cilat janë identifikuar si prioritete në përcaktimin e 12 prioriteteve, por për të gjitha refomat në përgjithësi. Mbetet ende një çështje, për të cilën ne jemi shumë të ndërgjegjshëm, se gjuha për të kërkuar mbështetje nga vendet anëtare edhe për samitin e dhjetorit bëhet më e vështirë, në rast se nuk votohen 3 çështjet që kanë mbetur ende pezull në Parlamentin shqiptar”.
Eduard Kukan, Kreu i delegacionit të PE për Ballkanin: “Ministrja u përqëndrua më shumë mbi situatën për tre ligjet, të cilat parlamenti nuk i ka miratuar gjatë votimit të fundit, më 26 tetor”.
TCH: A pati çështje të tjera që përmendët në takim?
“Po, për lirinë e shtypit. Ne pyetëm gjithashtu për të burgosurit politikë, për zgjedhjet. Për të gjitha çështjet aktuale në vend”.
Libor Rouçek, zëvendës-president i Socialistëve dhe Demokratëve në PE: “Mesazhi ynë, si për ministren, por gjithashtu për opozitën, është: le t’i bashkojmë forcat dhe të punojmë për to, sepse është thelbësore për Shqipërinë”.
Përveç plotësimit në kohë të kushteve të përcaktuara nga Komisioni, për të rritur shanset për marrjen e statusit kandidat, Shqipëria duhet të bindë, para samitit të dhjetorit, edhe ato vende skeptike anëtare, të cilat nuk mjaftohen me vlerësimet e raport-progresit të Komisionit Europian.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel