Arben Manaj – Ministeriali i Tiranës po prodhon kërcënime për rivendosje vizash, nëse nuk luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në vendet e Ballkanit. Shqetësimi vjen për shkak të rritjes së numrit të atyre që kanë kërkuar azil në vendet e Shengenit, ku shqiptarët si të gjithë ballkanasit, tashmë udhëtojnë pa viza.
Çështja është jo vetëm financiare, dhe mbi të gjitha financiare, por edhe ligjore dhe institucionale në rrafsh komunitar.
Faktikisht është një fushë shumë gri, që vërtitet mes së drejtës dhe privilegjit për të kërkuar mbrojte ndërkombëtare, e parashikuar nga konventa dhe traktate ndërkombëtare, si ai i Gjenevës dhe detyrimit që shumë vende të BE-së kanë për t’iu përmbajtur atyre që kanë nënshkruar.
Disa vende të BE-së, si Belgjika dhe Gjermania apo edhe të tjera, janë më vokalët në shqetësimin për shtimin e numrit të azilkërkuesve, ndërkohë që në vitin e fundit, shtim të rasteve për azil ka edhe në Britani të Madhe, edhe pse zyrtarisht Londra nuk është në Shengen dhe nuk ka bërë ndonjë demarsh zyrtar për frenimin e këtij fluksi konstant drejt ishullit.
Çështja është shumë e thjeshtë; këta njerëz që vijnë e kërkojnë azil politik dhe mbrojtje ndërkombëtare e bëjnë në shumicën e rasteve për shkak të rrethanave personale, siç ndodh me shqiptarët e Shqipërisë, p.sh., kur kërkojnë azil për gjakmarrje apo trafikim dhe prostitucion, pasi ndihen realisht të rrezikuar në vendin nga vijnë.
Natyrisht ka edhe shumë raste kur abuzohet, spekulohet dhe mashtrohet me këto shkaqe dhe arsye. Por nëse një person i përfshirë në gjakmarrje në Shqipëri nuk gjen asnjë lloj mbështetje nga Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera dhe ndodhet përballë opsioneve ose të qëndrojë i ngujuar për vite të tëra brenda katër mureve të shtëpisë ose vrasjes nëse qarkullon i lirë, apo të tentojë të jetojë më ndryshe në një vend tjetër, është vështirë ta fajësosh.
Nëse një femër u ka ikur kthetrave të tutorëve, të cilët e shfrytëzojnë për prostitucion për qëllime përfitimi, dhe u ikën kodoshëve nga Greqia apo Italia e vjen në Londër apo Bruksel, Mynih apo Stokholm, sërish nuk mund t’i bësh moral se s’duhet ta bënte një gjë të tillë.
Ka jo pak raste që edhe abuzohet dhe gënjehet me kësi arsyesh dhe pretendimesh, në emër të një jete më të mirë ekonomike dhe askush nuk mund dhe duhet të paragjykohet moralisht për një gjë të tillë, pasi është njerëzore në fund të fundit.
Thënë kjo, në instancë të fundit, janë autoritetet e specializuara të emigracionit në këto vende që kanë atunë dhe detyrën zyrtare për të zbatuar ligjin përmes verifikimit konkret përmes shumë mekanizmash policorë, tashmë në funksionim e sipër në rang BE-je, të një kërkese për azil.
Dhe rrjedhimisht, të marrin masën e duhur ose për riatdhesimin e tyre, duke ua refuzuar kërkesën për azil ose mbrojtje ndërkombëtare, ose duke u ofruar eventualisht atyre të drejtën e qëndrimit në vendin ku aplikohet. Kjo është ajo që pritet të bëjnë organet e specializuara të emigracionit të këtyre vendeve.
E nëse për shkak të burokracive, apo pamundësive ligjore, për shkak të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes me avokatë emigracioni të stërvitur në kësi rastesh, përfaqësuesit zyrtarë të shteteve humbasin rastet dhe betejat ligjore kundër azilkërkuesve, atëherë gjëja e fundit që duhet të ndodhë është qaravitja dhe kërcënimi për dënim kolektiv i pjesës tjetër të kombit nga vijnë këta njerëz. Kjo është e padrejtë dhe amorale.
BE normalisht ka të drejtën të vendosë regjime vizash dhe t’i heqë ato, por historia ka treguar se ai që e ka ndarë mendjen për të kërkuar azil dhe për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare aty ku dëshiron të shkojë, qoftë me maune, mbi e nën tren, me avion udhëtarësh apo avion privat, siç ishte një rast përpara do kohësh në Angli, të mos ketë pikë dyshimi se do mbërrijnë atje, në mos sot, nesër apo pasnesër.
Shqiptarët dhe ballkanasit e kanë fituar një të drejtë të tillë për qarkullimin pa viza në zonën e Shengenit dhe rikthimi në regjimin e vizave, personalisht nuk e besoj se do të ndodhë.
Nuk do të ndodhë, pasi do të jetë me pasoja të shumta dhe afatgjata për të ardhmen e këtyre popujve në BE, ku nga njëra anë trumbetohet se janë pjesë e BE-së dhe integrimeve të ardhshme dhe nga ana tjetër, i fusin nga dera dhe i kërcënojnë t’i nxjerrin nga dritarja.
Një gjasë dhe improbabilitet i tillë nga ana tjetër, do të hidhte në erë edhe fushatën sensibilizuese të nisur javën e kaluar nga Brukseli për rritjen e imazhit të menderosur të BE-së në sytë e europianëve “me hipotekë” dhe europianëve “me qira”, siç mund të konsiderohen ballkanasit.
BE-ja, nëse do që këto probleme të marrin rrugën e zgjidhjes, duhet në radhë të parë të luftojë problemin në burim dhe vendin e origjinës dhe të shikojë eliminimin e shkaqeve përse këta njerëz kërkojnë azil.
Argumentueshëm një pjesë e madhe e kërkesave për azil dhe qëndrim bëhen për një jetë më të mirë, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe benefitet që këto shtete ofrojnë për azilkërkuesit. Dhe ky është fakt si dielli që lind çdo mëngjes. Dhe këtu ka vend për më shumë impenjim nga Brukseli dhe vendet e tjera të BE-së për programe antivarfërie dhe ato të zhvillimit.
Por, në qoftë se ka probleme me gjakmarrjen në Shqipëri, të bëjnë presionin e duhur ndaj çdo qeverie në Tiranë dhe jo t’u fërkojnë kokën, kur çdo ditë vriten njerëz për gjakmarrje, burra dhe gra, madje edhe vajza nën moshë.
Në qoftë se ka probleme me prostitucionin dhe trafikimin e vajzave dhe grave nga Shqipëria, në rastin konkret edhe pse duket se Shqipëria nuk është problem nga shifrat dhe për këtë nuk jam i sigurt, nisur nga përvoja britanike të paktën, BE-ja dhe komisionerët e saj le të punojnë që të eliminohet ky problem dhe të mos flasin për gjëra që janë pasoja sesa shkaku, siç është çështja e sekuestrimit të aseteve kriminale.
E nëse këtë nuk e bëjnë dot dhe dështojnë, le të anulojnë të drejtën universale të kërkimit të azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare dhe problemi është i zgjidhur e njerëzit nuk do vijnë të kërkojnë azil.
Ose në rastin ideal, le t’i fusin këto vende në BE, ose të ndryshojnë legjislacionin vendas për vendet më pranë anëtarësimit, nëse mendojnë se e meritojnë dhe për pasojë, nuk ka më hapësirë ligjore për të drejtë për azil nga shtetasit e këtyre pak vendeve që kanë mbetur.
Por në kushtet kur nuk kanë këllqe ta bëjnë këtë, vijnë kërcënimet për ndëshkime kolektive dhe kjo është e pandershme dhe qesharake njëkohësisht.
Nuk mbytet Europa nga një, dy a më shumë milionë ballkanas, ashtu siç nuk u mbyt Anglia përkundër frikës së mediatizuar në prag të hyrjes së Polonisë, Rumanisë e Bullgarisë në BE përpara disa vitesh, shtetasit e të cilëve, edhe pse pjesëtarë të BE-së, sërish sot e kësaj dite, ende kërkojnë ndihma sociale, si ato për akomodimin dhe mjelin gjenerozitetin e shtetit anglez, e sërish anglezët nuk ankohen, siç po bëjnë belgët e gjermanët apo dikush tjetër.
Top Channel