ANDREA STEFANI – Aleksandër Arvizu, ambasadori i SHBA-së në Tiranë,
duhet të jetë zhgënjyer jo pak nga fakti që Kryeministri Berisha nuk
mori mundimin të negocionte me grevistët e urisë, edhe pse një gjë e
tillë u këshillua nga shumë zëra. Personalisht edhe nga ambasadori
Arvizu.
Tashmë është tepër vonë, sepse e keqja ndodhi. Lirak Bejko, njëri ndër ish të përndjekurit e grevës që dogji veten në shenjë proteste për indiferencën antihumane të pushtetit, nuk është më. Ai dha frymën e fundit duke luftuar me plagët e marra në përleshje me arrogancën e “malit që s’bëzan”, duke refuzuar të jetë “trashëgimtar i vuejtjes dhe i durimit” si jo pak shqiptarë kanë zgjedhur të jenë, për fat të keq. Megjithatë kjo tragjedi nuk do të kish ndodhur nëse Kryeministri do të kish bërë minimumin e detyrës së tij si qytetar. Që do të thotë, të dialogonte me këta martirë të diktaturës, por tash, edhe të “demokracisë”. Por nuk e bëri. Përse? Besonte se nuk kishin të drejtë?! Ashtu qoftë! Por a nuk ka detyrë çdo njeri të ndërhyjë për të shpëtuar dikë që kërkon t’i japë fund jetës për shkak të një diçkaje si dëshpërimi që nuk është as i drejtë dhe as i padrejtë? A nuk duhet të ndërhyjë, t’i thotë një fjalë, ta tërheqë nga buzëhumnera? Qeveria t’i thoshte një fjalë të mirë – qahet sot nëna e Lirakut, ta gënjenin, po t’thoshin një fjalë të mirë që të dilte nga greva. Po edhe pse përgjegjës për faktin që Liraku kërkonte “me gjetë një kafshatë më të mirë” duke u endur, përditë, në lojë varrimtare mbi lëkurën e “malit që hesht”, Berisha nuk denjoi të thoshte qoftë edhe një fjalë shpëtimtare. Përkundrazi e akuzoi Lirakun dhe shokët e tij të mundimit, si bashkëkomplotistë me opozitën kundër Berishës. I akuzoi, pa asnjë kompleks, por me kurajë tipike bolshevike, pikërisht ai që ngrohej në oxhaqet e bllokmenëve në kohën kur Liraku luftonte me prangat e bllokmenëve? E akuzoi Lirakun ai që ka shumë më pak merita për këtë vend sesa i përndjekuri dhe martiri Lirak Bejko. Komunisti i fundit në pushtet ishte shndërruar në akuzator! E si mund të mos thellonte kjo orgji me maska që s’paska fund, kjo ripërmbysje klandestine e gjërave, ky revolucion i fshehtë bolshevik në barkun e demokracisë dëshpërimin e grevistëve të urisë, edhe të Lirakut? Dhe është pikërisht ky dëshpërim, që i vuri shkrepësen jetës së tij. Bëhet kështu krejt e qartë se, ndërsa në lojë ishte jeta e njerëzve, Kryeministri shqetësohej narcizisht vetëm për veten dhe pushtetin e tij. Një qëndrim i akullt dhe i kalkuluar, si i një makine që mund të shpjegohet vetëm me këtë paranojë narciste në kokën e pushtetit. Përgjegjësia e Kryeministrit në tragjedinë e sapondodhur, por edhe në të tjera para saj, është aq drejtpërdrejt e perceptueshme sa çdo Kryeministër i një shteti demokratik, nuk mund të qëndronte më në atë detyrë publike. Vetëm diktatorët e paprekshëm u rezistojnë të tilla ngjarjeve vërtet të rënda. Një tjetër rast që provon se Shqipëria nuk është ende një shtet normal.
***
Dihet se një person me çrregullime paranojake karakterizohet nga dyshimi i theksuar ndaj të tjerëve, nga paaftësia për t’i besuar ata, nga prirja për t’i interpretuar synimet e tyre si qëllimkëqija, si dhe nga reagimi i tepruar. Këto tipare janë tepër të dukshme në marrëdhëniet e vendosura nga Berisha edhe me të përndjekurit në grevë. Që në krye të herës ai vuri në dyshim sinqeritetin e protestës së tyre duke i akuzuar si vegla të Ramës dhe të opozitës. Pra, sipas Kryeministrit, të përndjekurit nuk kishin hyrë në grevë, sepse nuk kishin marrë kompensimin e premtuar financiar (madje propaganda e qeverisë i akuzoi si njerëz të kamur), por sepse ishin yshtur nga opozita politike. Por faktet dëshmojnë të kundërtën. Kompensimi financiar i të përndjekurve ka 20 vjet që zvarritet. Ndaj nuk është e para herë që të përndjekurit protestojnë për këtë padrejtësi. Por është e para herë që ata akuzohen se janë bërë vegla të opozitës për t’i marrë pushtetin Berishës. Edhe pse përsëri faktet dhe shifrat tregojnë se qeveria nuk e ka shlyer detyrimin ligjor ndaj tyre. Faktet provojnë se ka një shkak ekonomiko-financiar për grevën dhe jo një inspirim politik. Këto të fundit mbeten vetëm “fjalë kazani” që Kryeministri nuk i beson as vetë. Dhe, ç’është e vërteta, është e vështirë të besosh se të përndjekur politikë të regjimit komunist, do të ishin të gatshëm të shkonin deri në vetëflijim që ata që Berisha i quan “bijtë e bllokmenëve”, të rimarrin pushtetin. Ka më shumë të ngjarë se kemi të bëjmë me paranojën e një lideri që, edhe për shkak të jetëgjatësisë së pazakontë në krye të politikës dhe pushtetit, ka nisur të shikojë ngado armiq të pushtetit. Prandaj edhe reagimi i tij kundër grevistëve ishte i tepruar (simptomë paranojake kjo), ashtu siç ishte i tillë edhe reagimi me plumba luftarakë ndaj protestuesve më 21 janar. Pa një mbireagim të tillë paranoid, nuk do të kish pasur as të varë më 21 janar dhe as martirë si Lirak Bejko apo të vetësakrifikuar si Gjergj Ndreca në grevën e të përndjekurve politikë. Për shkak të kësaj paranoje, pushteti berishist nuk resht së kryeri akte që e përafrojnë me shumë pushtete të tjera autokratike. I tillë ishte edhe akti i turpshëm i ndalimit të ish të përndjekurve ditën e vizitës së Hillary Clinton, që ajo të mos shihte protestën e tyre. Pikërisht një të tillë akt po bën këto ditë edhe qeveria e Kinës në prag të kongresit të Partisë Komuniste në pushtet. Të shqetësuar për një artikull të botuar në gazetën “Neë York Times”, ku demaskohej pasurimi përrallor i Kryeministrit kinez, autoritetet kanë bllokuar të gjitha burimet e informacionit për këtë artikull. Ata kanë shkuar aq larg, sa kanë urdhëruar që, gjatë ditëve të kongresit, të gjithë pronarët e pëllumbave të postës t’i mbajnë këta zogj të mbyllur në kafaz që të mos përdoren për të përhapur lajmin armiqësor në publik. Tamam si kinezët, edhe Berisha i mbylli në “kafaz” të përndjekurit, në mënyrë që protesta e tyre të mos arrinte deri te sekretarja Clinton. Pavarësisht nga kombësia dhe koha, autokratët bashkohen në metodat e shtypjes së lirisë së shprehjes dhe organizimit.
***
Por akuzimi i grevistëve të urisë, si vegla të Edi Ramës, mund të jetë edhe një taktikë e Kryeministrit jo vetëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë për konfliktin e lindur, por edhe për të ndezur solidaritetin e fanatikëve të pushtetit. Një taktikë që nuk e përjashton sindromën paranoide, por e bën më komplekse duke e gërshetuar edhe me atë të një solidariteti narcist të grupit. Sepse presupozon ekzistencën e një lideri narcist që ka kujdes të krijojë rreth vetes mbështetjen e një mase sa më të madhe njerëzish të lidhur me pushtetin me një solidaritet narcist. Që do të thotë me një masë njerëzish që e ndiejnë veten të kërcënuar seriozisht kur kërcënohet lideri dhe pushteti i tij. Duket se segment i kësaj mase janë bërë edhe një pjesë e të përndjekurve të komunizmit që sot bëhen palë me pushtetin përballë bashkëvuajtësve të dikurshëm që kërkojnë asgjë më shumë se të drejtën e tyre. Ndërkaq ka një mori shenjash të tjera që provojnë narcizmin politik të Berishës. Ndër to numërojmë prirjen për madhështi dhe vetërëndësi, nevojën për t’u admiruar, si dhe mungesën e aftësisë për empati (vënia e vetes në pozitën e tjetrit) sikundër u provua edhe në rastin e grevistëve të urisë. Dhe theksojmë kalimthi se nëse Kryeministri nuk do të vuante nga paranoja e pushtetit dhe do të kishte aftësinë për empati, konflikti me ish të përndjekurit nuk do të ishte thelluar dhe Liraku nuk do të ishte martirizuar. Por pushteti absolut që tenton të jetë i pafund, korrupton edhe aftësinë e liderit për humanizëm. Prandaj Xhorxh Uashingtoni, duke besuar në aftësinë e papërballueshme korruptuese të pushtetit, sugjeroi me shembullin e tij që asnjë President të mos qëndronte më gjatë se dy mandate 4-vjeçare. Lideri narcist nuk kënaqet kurrë pa arritur në krye të një organizate, partisë, shtetit apo kombit. Që Berisha, gjatë karrierës së tij politike ka tentuar të vihet në krye të PD-së, pastaj në krye të shtetit dhe më pas, edhe në krye të kombit si lideri i të gjithë shqiptarëve, nuk do koment. Por lideri narcist nuk është në gjendje t’i vendosë asnjëherë interesat e organizatës mbi ato personale. Prandaj, çdo parti politike e ndërtuar mbi bazën e autoriteti absolut të liderit ka, përgjithësisht, jetëgjatësinë e liderit. Nuk është rastësi që edhe në PD e pranojnë se në rast largimi të Berishës, PD-ja merr fund. Por lideri narcist nuk është në gjendje të vendosë as interesat e shtetit apo kombit mbi ato të pushtetit personal. Me këtë sindromë shpjegohen shumë bëma të Berishës, që nga shitja naftë Millosheviçit, tolerimi i piramidave financiare, armatosja e paramilitarëve në mars ’97, grushti i shtetit i 14 shtatorit ’98, tragjedia e Gërdecit, vrasjet e 21 janarit dhe më e fundit, qëndrimi çnjerëzor ndaj kërkesave të të përndjekurve politikë që çoi në martirizimin e Lirak Bejkos. Por tradhtia më e madhe ndaj interesit kombëtar është shkatërrimi i projektit të një shteti me pushtete të ndara dhe të ekuilibruara, me gjykata të pavarura, që duke dhënë drejtësi, mbrojnë liritë dhe të drejtat e shtetasve duke i bërë ata njerëz të lirë dhe qytetarë.
Top Channel