Ilir Yzeiri – Lirak Bejko vdiq pas plagëve të rënda që mori kur i vuri flakën vetes ditë më parë.
Sali Berisha vijon të sillet njësoj edhe pas kësaj vdekjeje. Ai, jo vetëm nuk kërkoi falje për gjuhën e urrejtjes dhe të shpërfilljes, por vijoi më tej të flasë përmes gojës së çupëlinës së radhës, që çnderon në foltoren e PD-së, duke nxjerrë tym të zi halucinant dhe duke bërë aludime që vetëm një mendje e mbrapshtë mund t’i rrokë. Lirak Bejko vdiq dhe miqtë e tij, kolegët e tij të grevës së urisë, nuk patën mundësi që t’i tregonin zonjës Klinton gjatë vizitës së saj, se shqiptarët e kanë një problem me Amerikën. Ata nuk u lejuan që të protestonin në mënyrë paqësore para Kuvendit të Shqipërisë në kohën që zonja Klinton po hynte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Ndoshta të tjerë, pjesëtarë të stafit të ambasadës në Tiranë, duhet t’ia kenë treguar videon ku shfaqet Policia e Tiranës që largon me forcë protestuesit para Kuvendit të Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, në takimin me punonjësit e familjarët e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, zonja Klinton tha se ne zhvillojmë vizita zakonisht në vende që kemi një problem, por me Shqipërinë ne nuk kemi asnjë problem. Në fakt, miqësia, ndjenja e sinqertë e dashurisë që kanë shqiptarët për Amerikën është e padiskutueshme. Europa dhe në përgjithësi bota, ka ndryshuar disa herë qëndrim ndaj SHBA-së. Shqiptarët kurrë nuk e kanë diskutuar pas këtyre njëzet vjetëve sidomos dashurinë, adhurimin dhe përkushtimin ndaj gjithçkaje që bënte Amerika në botë.
Kjo ndjenjë e ligjshme lidhet me fatin historik të shqiptarëve, të cilët, megjithëse një nga popujt më të vjetër të Europës, janë parë prej saj me indiferencë, me cinizëm dhe shpërfillje. Veçanërisht shekulli XX ka qenë fatal për shqiptarët dhe Europa, në më shumë se një rast, ka miratuar në heshtje plane gati shfarosëse për shqiptarët. SHBA-ja ka qenë vërtet engjëlli ynë mbrojtës dhe këtu nuk është më rasti për të vijuar me historinë. Edhe sot, shqiptarët janë ndër më të paragjykuarit në Europë. Në Francë, Itali apo edhe në ndonjë kryeqytet tjetër, shqiptarët shihen ende si refugjatë me potencial islamik e kriminelë. Italianët, fqinjët tanë që nuk lënë gjë pa transmetuar në mediat e tyre, sa herë që vjen fjala për shqiptarët paraqesin imazhin e anijeve të mbushura me refugjatë në vitet ’90. Është krejt tjetër fryma që ka politika amerikane për shqiptarët e Shqipërinë sot. Ndaj është krejtësisht e vërtetë ajo që tha zonja Klinton se SHBA-ja nuk ka asnjë problem me Shqipërinë. Mirëpo ne shqiptarët kemi një problem me SHBA-në. Këtë problem u përpoqën ta tregonin me protestën e tyre paqësore miqtë e Lirakut, i cili vdiq nga plagët dhe dhimbja e tmerrshme e djegies për së gjalli.
Ne kemi një problem me SHBA-në dhe këtë problem u përpoq ta tregonte edhe Gjergj Ndreca me letrën e hapur për zonjën Klinton. Ne kemi një problem në fakt me veten tonë. Ne jemi të sunduar e të pushtuar nga një uzurpator me emrin Sali Berisha, që ka vrarë njerëz dhe që ka detyruar të burgosurit politikë të digjen për së gjalli. Ne jemi të pafuqishëm që të çlirohemi nga ky barbar, ndaj ish të burgosurit politikë donin t’i kërkonin ndihmë zonjës Klinton që të mos ta lërë këtë vend në dorën e një diktatori. Ne natyrisht nuk ju bëjmë me faj ju pse mbetëm në dorë të Enver Hoxhës për 50 vjet me radhë, por kemi të drejtë t’ju kërkojmë juve që të na ndihmoni të çlirohemi nga ky barbar që me arrogancën, idiotllëkun, harbutllëkun dhe sharlatanizmin po ua neverit jetën shqiptarëve në këtë vend dhe po i çon në vetëflijim.
Ja këtë donin t’ju thoshin paqësisht ish të përndjekurit atë ditë me shi kur ju hytë në Kuvendin e Shqipërisë dhe nisët të skuqeshit nga sëkëlldija kur dëgjonit marritë e spikeres së Parlamentit, që me një stil propagandistik të fryrë e me dashuri të shpëlarë komuniste, lëshonte idiotësira nga goja, sa jo vetëm zonjën Klinton e bëri që të turpërohej e të sikletosej, por na mbuloi me turp ne të gjithëve, sepse na kujtoi takimet apo çastet kur Enver Hoxha priste Hrushovin, e puthte në të dyja faqet dhe niste pastaj lumin e krahasimeve me male e margaritarë për mikun e madh e plot e plot marrëzira të tjera. Spikerja e Kuvendit ende nuk ka mësuar se të shprehësh mirënjohje e dashuri është akt fisnik që kërkon pak fjalë, por shumë elegancë e klas. Margaritarët e lulet janë një retorikë e pështirë e stilit komunist, por kjo lidhet pak ose aspak me problemin që kanë shqiptarët me SHBA-në. Është e vërtetë se zonja Klinton ishte në vështirësi, për shkak se ndodhej në një vend ku e duan dhe e adhurojnë. Megjithatë ajo i adresoi drejt problemet që ka ky vend, megjithëse shqiptarët do të donin që nga protokolli të thuhej se SHBA-ja e ka një problem me Shqipërinë dhe ky problem është Kryeministri që ka vjedhur e vjedh votat. Këtë zonja Klinton e tha, por nuk tha se Kryeministri që vret popullin e tij është një problem për Amerikën.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel