Vrasja e një fëmije vetëm 8 vjeç, në Mamurras, ka shkaktuar sot një tjetër vrasje për hakmarrje.
Shtetasi Gentian Shkreta mbeti i vdekur në vend dhe vellai i tij u plagos rëndë në një pritë të ngritur nga dy anëtarë të familjes Llani. Dy familjet hynë në një konflikt pas vrasjes në një pritë të një fëmije 9 vjeç.
Vrasja e sotme, sipas policisë, ndodhi kur dy shtetasit Muharrem Llani si dhe Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në qershor të këtij viti nga dy djemtë e familjes Shkreta, ngritën një pritë.
Sipas policisë, dy vëllezërit Gentian dhe Leli Shkreta po ktheheshin nga Serbia, teksa janë qelluar për vdekje pranë një pike karburanti, në afërsi të urës së Lumit Droj. Policia shpalli në kërkim dy autorët e dyshuar.
Në muajin qershor Olgert dhe Mariglen Shkreta vranë djalin 9-vjeçar të Jetmir Llanajt gjatë një atentati, duke bërë që dy familjet Llanaj dhe Shkreta të hynin në hasmëri.
Mark Shkreta, babai i dy autorëve u vra mëngjesin e 20 korrikut në kryeqytet. Ai ishte larguar nga Mamurrasi dhe qëndronte në një banesë në periferi të Tiranës, por mëngjesin e 20 korrikut u qëllua për vdekje me breshëri arme.
Policia ndaloi menjëherë babain e fëmijës së vrarë, por e lëshoi për mungesë provash. Policia ka prova se vrasja ka ndodhur për hakmarrje.
E gjithë historia tragjike e konfliktit mes dy familjeve Shkreta dhe Llani ka ardhur pas një sherri banal të ndodhur në Mamurras, mes babait të fëmijës 9 vjeç dhe një pjesëtari të familjes Shkreta.
Në shenjë hakmarrje, ata dolën në rrugë dhe qëlluan mbi mjetin që po merrte fëmijën nga shkolla. Plumbat plagosën xhaxhain dhe i morën jetën fëmijës.
Top Channel