Interi mund të “pathyeshmit” bardhezinj

04/11/2012 08:10

Tingëllon e pabesueshme, por Juventusi është mundur në Torino dhe këtë disfatë të parë sezonale dhe pas 49 ndeshjesh pa humbje, ia shkakton Interi i Stramaccionit.

Shënojnë shumë shpejt, për 18 sekonda bardhezinjtë. Një pozicion jashtë loje i Asamoas nuk shihet nga anësori dhe Vidal, i dalë i vetëm përballë portës, nuk shpërdoroi.

Menjëherë polemikat, por loja vazhdon me një Juventus që tregohet zot shtëpie në 45 minutat e para.

Nuk dorëzohet Interi dhe në pjesën e dytë përmbys gjithçka. Në fillim Milito barazpeshon me një penallti. Juventusi është i paqartë dhe duke i lodhur ndërkohë që kanë ende rezerva zikaltrit Guarin i futur për të zëvendësuar Cassanon shndërrohet në protagonistin e golit të dytë që sërish finalizohet nga argjentinasi Milito.

Për të tretin mendon Palasio, i cili detyron tifozerinë juventine të largohet menjëherë nga stadiumi duke mundur këtë skuadër të shndërruar në simbolin e pathyeshmërisë.

Tashmë Interi konfirmon se është në rrugën e duhur dhe me vetëm 1 pikë diferencë me vendin e parë që e mban ende Juventusi.

Edhe Milani ka befasuar të gjithë në këtë javë të kampionatit italian ku ka fituar 5-1 përballë Chievos në “San Siro”, një fitore që i ngjit kuqezinjtë në kuotën e 14 pikëve.

Emmanuelson zhbllokon shifrat ndërkohë që Pallisier barazon shumë shpejt. Megjithatë, brenda pjesës së parë shënojnë sërish lojtarët e Milanit me Montolivon dhe Bojan duke siguruar fitoren në këto 45 minuta.

Në të dytën, realizojnë edhe dy golashënuesit më të mirë të kuqezinjve në këtë kampionat, El Sharaawy dhe më pas Pazzini që vulos shifrat në 5-1, duke i dhënë më shumë moral skuadrës së Allegrit.

Top Channel