Skënder Minxhozi – I dhamë dorën (duart, në fakt) dhe iu rikthyem zakonit. Një sjellje tipike shqiptare. Vetëm pak orë pasi sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u ngjit në avionin e saj në Rinas, me premtimet e radhës në xhep, për bashkëpunim, tone të ulura dhe moderim, Kryeministri shqiptar doli para mediave për të na kujtuar se nuk ka mediator, sado i lartë, që i pajton shqiptarët. Sikur të mos kishte qenë pas shpinës së zyrtares së lartë amerikane, teksa ajo i drejtohej Kuvendit, Berisha deklaroi dje në thelb se opozita duhej të dëgjonte këshillat e Klintonit dhe…të votonte tri ligjet e mbetura pezull.
Asnjë fjalë për pjesën e tij të përgjegjësisë, asnjë sinjal apo mesazh shtensionimi me opozitën, asnjë milimetër spostim nga pozicionet e njohura prej disa javësh. Në harkun e 24 orëve, Sali Berisha provoi se nuk jepet as para presionit të drejtpërdrejtë të shtetit më të fuqishëm në botë. Një rikthim i vërtetë në të shkuarën ky fakt, që s’mund të jetë veçse një prelud i zymtë i asaj që vjen më pas.
E ka ditur këtë edhe vetë Hillari Klinton, teksa zbriste në kryeqytetin shqiptar. Njoftimi zyrtar i Departamentit të Shtetit për vizitën, Protokolli i qëndrimit në Shqipëri, mungesa e konferencës së përbashkët të shtypit (Dacic dhe Thaçi patën trajtim më të mirë se Berisha), fakti që nuk u mbajt një drekë zyrtare (megjithëse oraret e vizitës e sugjeronin diçka të tillë), ftesat në Kuvend për një tufë “armiqsh” të qeverisë nga ana e ambasadës amerikane, takimi kokë më kokë me Edi Ramën (që liderët opozitarë të rajonit nuk e morën) – të gjitha këto e klasifikonin misionin diplomatik të Hillari Klintonit në Shqipëri, si një vizitë ku të gjithë elementet formalë dhe substancialë, ishin gërshetuar me një përkujdesje milimetrike. Me qëllimin e vetëm: të mos i jepet shkas qeverisë që ta përdorë vizitën si një spot elektoral banal, apo si një qokë të rëndomtë që i shërben propagandës zyrtare.
E kur anës protokollare i bashkon fjalimin që sekretarja Klinton mbajti në Parlament, mund ta lexosh pa shumë vështirësi mendimin amerikan mbi atë që ndodh sot në këtë cep të Ballkanit. E fokusuar në mënyrë të studiuar te zgjedhjet, standardi i bashkëpunimit politik dhe korrupsioni, fjala e Klinton në Kuvend ishte një dush i akullt për kulturën politike që demonstron klasa e sotme drejtuese në Shqipëri. Pyetjet therëse që ajo hodhi ndaj politikanëve shqiptarë “A do të luftoni korrupsionin? A do të punoni për të hyrë në BE, si një rrugë për paqe afatgjatë? A do të vazhdoni të jeni një model për rajonin?”, në fakt janë vërejtje direkte dhe tërheqje e fortë veshi për elitën politike shqiptare. Thirrja e saj për përgjegjësinë që duhet të mbajnë përfaqësuesit politikë në rast mospërmbushjeje të premtimeve të tyre, duket gjithashtu e prerë enkas për të vënë në dukje fenomenet e përjetësisë dhe padënueshmërisë, që janë kthyer në mënyrë të vërtetë jetese në Shqipëri.
Pas komenteve të Hillari Klinton për zgjedhjet, është tashmë edhe formalisht zyrtare se Shqipëria ka një problem të madh me zgjedhjet. Mënyra sesi ajo e parashtroi çështjen e lirisë së votës, përbën një nënvizim me bojë të zezë të kësaj gangrene njëzetvjeçare. Një pozicionim që bie ndesh në mënyrë flagrante me pretendimet e qeverisë se negativiteti i zgjedhjeve është një artific i opozitës për të mbuluar humbjet e saj. Klinton kërkoi me forcë zgjedhje të lira. Nuk është e vështirë të kuptohet se ajo ka ditur si t’ia komunikojë qartë këtë edhe Kryeministrit, çka u kuptua edhe nga humori gri i Berishës në Kuvend, pas takimit me sekretaren e Shtetit.
Nga ana tjetër, është gjithashtu e vështirë që të mos pranohet se gangrena tjetër, ajo e korrupsionit, ka marrë tashmë përmasa thellësisht preokupuese. Komentet e Klinton zbuluan aksionet e ulëta që Shqipëria ka në Uashington, sa i përket këtij fenomeni. Edhe këtu mbetet të shihet nëse qeveria do të vijojë të thotë se “ka korrupsion, por opozita nxin realitetin”. Fakti është që qëndrimi i Hillari Klinton në këtë pikë, është vetëm një substrakt i dhjetëra raporteve ndërkombëtare të viteve të fundit, të emetuara nga institucionet më të rëndësishme, ku korrupsioni shihet si një dukuri e përhapur në gjerësi dhe në thellësi në indin e shoqërisë shqiptare.
Së fundi, por jo më i parëndësishëm, mbetet bashkëpunimi politik, burimi i pashtershëm i tensioneve dhe përplasjeve në vend. Gjuha e urrejtjes e politikanëve shqiptarë (e këtu Berisha fiton çdo garë), ka bërë famë në botë, duke zhvlerësuar rregullisht shanset për kompromise, paqe politike dhe frymë konstruktive. Këto janë disa mësime bazë të demokracisë, të cilat Hillari Klinton u përpoq t’ua mësonte shtetarëve që kishte përpara, me anë të shembullit të saj. Për ata që kishin veshë në atë sallë, ajo evokoi rivalitetin me Barak Obamën. Një mësim jete, më shumë sesa një fabul politike.
Vizita e Hillari Klinton përbën një piketë të rëndësishme, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Reagimi i parë i Berishës pas kësaj vizite ishte dëshpërues. U duk si sjellja e një personi që e ka vendosur ç’do të bëjë. Herën e parë, kur pati të bënte me bashkëshortin e zonjës Klinton, kjo sjellje e çoi drejt humbjes. Të shohim si do të shkojnë punët tani, pas 15 vjetëve.
Top Channel