Stramaccioni: Inter do kërkojë fitoren ndaj Juves

02/11/2012 20:30

“Jemi në një moment të mirë. Rezultatet e mira na kanë ndihmuar psikologjikisht, tashmë kemi besim në forcat tona dhe kemi mundësitë për të luajtur si të barabartë ndaj Juventusit.”

Këto janë fjalët e trajnerit të Interit, Andrea Stramaccioni, në prag të supersfidës ndaj bardhezinjve të shtunën në mbrëmje.

“Juventus është më e konsoliduar dhe ndeshja ndaj tyre do na tregojë se ku jemi. Këto dy vitet e fundit janë më të mirët në Itali. Kjo nuk do të thotë që unë kënaqem me barazimin. Jemi Interi dhe hyjmë në fushë për të fituar çdo ndeshje”, theksoi Stramaccioni, i cili pranoi se do ketë kujdes regjisorin e lojës së bardhezinjve, Andrea Pirlon.

“Ai bën lojën dhe është normale të kemi më shumë kujdes me të. Do të përpiqemi t’i vështirësojmë lojën, por nuk do i vëmë nga pas ndonjë lojtar të veçantë”, shpjegoi tekniku i ri italian.

Stramaccioni theksoi edhe se kjo ndeshje, sado e rëndësishme për të dyja ekipet, nuk do të vendosë asgjë për titullin kampion: “Jemi në javën e 11 dhe do të mbesin edhe shumë takime të tjera për tu luajtur .”

Supersfida e javës së 11 të Serisë A, Juventus-Inter, do të luhet të shtunën në orën 20:45.

Top Channel