Një ekip shqiptar arkeologësh kanë nisur këto ditë një fushatë të re gërmimesh arkeologjike në një zonë brenda Parkut Arkeologjik të Antigonesë, 14 km në lindje të qytetit të Gjirokastrës.
Qyteti antik i Antigonesë, aktualisht është e vetmja zonë arkeologjik në Shqipëri, ku që prej vitit 2010 kryhet një ekspeditë arkeologjike kërkimore dhe shkencore e përbërë vetëm nga arkeologë shqiptarë.
Kjo ekspeditë financohet nga qeveria shqiptare nëpërmjet Institutit të Arkeologjisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Ekspedita “Antigone 2012”, që drejtohet nga arkeologu shqiptar Prof. dr Dhimitër Çondi, është përqendruar në një zonë që është eksploruar për herë të parë një vit më parë, gjatë së cilës arkeologët arritën të zbulojnë një objekt unikal të përdorimit të përditshëm familjar në lashtësi, një mekanizëm guri të punuar me mjeshtëri, që shërbente për të bluar drithërat.
Gjatë kësaj fushate gërmimesh, ekipi arkeologjik, duke respektuar strategjinë e gërmimeve të parashikuar në planin e menaxhimit afatmesëm të Antigonesë, do të vazhdojë punimet edhe në tri pika të këtij parku arkeologjik.
Volumi më i madh i gërmimeve të kësaj ekspedite do të kryhet në qendër të parkut, në vazhdim të aksit kryesor të rrugës që përshkon qytetin antik nga Porta Kryesore Jugore deri në Portën Veriore pranë Akropolit.
Në këtë zonë gërmimet e mëparshme nxorrën në dritë një pjesë të madhe të murit kufizues të rrugës kryesore, një sipërfaqe e konsiderueshme e bllokut të banesave të qytetit dhe një inventar i pasur me gjetje arkeologjike si orendi të përdorimit të përditshëm familjar në qeramikë, mjete pune për teknologjinë e endjes së pëlhurës, një numër i madh mjetesh pune të përdorimit në bujqësi, monedha të Koinon-it të Epirit, maja metalike heshte, objekte zbukurimi, pjesë amfore dhe pitosa.
Top Channel