100 vjet pavarësi: Shqipëria është sic ka qenë

01/11/2012 00:00

Mustafa Nano – Është tragjik, shumë tragjik, fakti që festimet me rastin
e 100-vjetorit të pavarësisë po i bëjmë të ndarë më dysh, në Vlorë e në
Tiranë. Është mënyra më e keqe për të festuar një datë e një ditë të
tillë.

Do duhej të jepnim një shenjë pjekurie në këtë 100-vjetor, do duhej të jepnim një provë, qoftë dhe të përkohshme, se jemi të shqetësuar për unitetin kombëtar para se të jemi të merakosur për tekat e egot personale, por edhe një herë tjetër është parapëlqyer rendja pas sjelljes sektare, si të donim të thoshim se qasja sektare ka qenë ajo që na ka dalluar në këto 100 vjet të historisë së Shqipërisë së pavarur. Kjo histori ka filluar me karfosjen mes Ismail Qemalit e Esad Toptanit, e ka vijuar me grindje të pafundme mes udhëheqësish politikë me frymëzime egocentrike e tribale, për të përfunduar te kjo festë e ndarë mes Tiranës e Vlorës.

Ka qenë e pashmangshme kjo situatë? E vërteta është se protokolli i qeverisë, që ka caktuar Tiranën si qendër të kësaj feste, nuk ka ndonjë të keqe. E megjithatë, ndonëse qeveria nuk mund të qortohet pse ka zgjedhur Tiranën si qendër të festës, ajo mund të qortohet që ka nxitur dhe inkurajuar këtë festë më dysh. Madje, duket sikur ka bërë çmos të ndodhë kjo që po ndodh, fillimisht me tentativën për ta monopolizuar festën (duke e lënë opozitën pa ndonjë rol në këtë ngjarje), më tej me një debat për historinë që synoi të nxirrte e promovonte në mënyrë provokative si figurën e madhe të këtyre 100 vjetëve vetëm Ahmet Zogun (!!!), e në fund me një si kujdes tinëzar për të krijuar një garë mes Tiranës e Vlorës, të cilën nuk mund të mos e fitojë “Tirana e qeverisë” përballë “Vlorës së pavarësisë”.

Opozita, për të evituar margjinalizimin e vet në këtë kontekst të një harbimi me efekt të diskutueshëm elektoral, nuk ka bërë asgjë për t’i ikur logjikës sektare. Madje, duket sikur ka dashur t’i thotë qeverisë: “Do sherr edhe në këtë 100-vjetor? Sherr le të bëhet!”. Mund të sillej ndryshe opozita, e cila ka tetë vjet që ndihet e papërfillur, e nëpërkëmbur, e fyer, e mundur me vjedhje votash dhe e mposhtur me vrasje politike (21 janar)? E di, që është e lehtë të bësh moral nga jashtë e nga larg, por në vend të tyre do bëja çmos të mos bëja lojën e politikanit më sektar që kanë njohur këto anët tona gjatë 100 viteve të fundit, i cili ka qëlluar të jetë kryeministër në këtë moment.

Kjo sindromë e përçarjes pra shpaloset sërish sot, ashtu si në fillim të shekullit të shkuar. Historia është e njohur. Kur Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, etj., nënshkruanin deklaratën e pavarësisë në Vlorë, shqiptarë të tjerë, të udhëhequr nga Esad Toptani krijonin në Durrës e në Shqipërinë e Mesme realitete paralele e rivalizuese, të cilat, në mos synonin, me siguri e bënin të mundur, shfokusimin prej ngjarjes së madhe të krijimit të Shqipërisë “më vehte, të lirë e të mosvarme”.

Nuk është vetëm sindroma e përçarjes që, në një vështrim esencialist të gjërave, ta bën Shqipërinë e këtyre kohëve jo shumë të ndryshme nga Shqipëria e Ismail Qemalit dhe e Esad Toptanit. Nëse përjashtojmë arritjet më të mëdha në historinë e këtyre 100 viteve, që janë së pari Kosova e pavarur dhe së dyti një prani e ndrojtur ‘institucionale’ e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në botën euroatlantike (një saktësim domethënës: si çdo arritje, përfshirë dhe atë të krijimit të Shqipërisë së pavarur, Kosova e pavarur dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO kanë ardhur më së pari si lojë fatlume koniunkturash ndërkombëtare, e jo për merita lokale), si zor të gjejmë arsye të tjera për të kënduar këngën e ndryshimeve të mëdha.

Shqipëria mbetet, ashtu si në vitin 1912, vendi më i prapambetur në rajon. Dhe prapambetja ekonomike është ndoshta më e parëndësishmja në këtë diskutim. Bie në sy, mbi të gjitha, prapambetja politiko-kulturore, ose me terma më konkretë, natyra konservatore e reaksionare e shoqërisë (shoqërive) shqiptare, një lloj vështirësie për t’u familjarizuar me modernitetin, një përbuzje për botën e rregullave, ligjeve, institucioneve, shtetit, e rivalizimi i këtyre të fundit me qasje mujshare e kanunore, elitat me prerje e frymëzime provinciale, etj., etj. Sigurisht, ka një përmasë ballkanike në këtë prapambetje, por ne shqiptarët vijojmë të mbetemi më ballkanas se të gjithë ballkanasit.

Duke përjashtuar pesëdhjetë vitet e diktaturës autarkike, në të cilat Enver Hoxha shtiri në punë sjelljen mizore për të rrafshuar diferencat dhe grindjet mes fraksioneve të natyrave të ndryshme e për të dëshmuar “aftësi vetëqeverisëse”, në pjesën tjetër të kohës ne kemi dhënë dëshmi të shumta të paaftësisë sonë për t’u vetëqeverisur. Viti 1997 është prova e freskët dhe e qartë, e kësaj paaftësie, që për pak na çoi në një luftë fatale civile.

Lidhur me këtë vëzhgim nuk mund t’mos dallojmë kultin e paprekur të ambasadorëve në Shqipëri. Ashtu si në momentet e vitet e para të ekzistencës së Shqipërisë së pavarur, ne vuajmë prej një kompleksi nënshtrimi e varësie përballë ambasadorëve në veçanti e të huajve në përgjithësi. 100 vjet më parë kish rrethana që e justifikonin këtë varësi, ndërsa sot nuk ka asnjë justifikim koniunkturial; justifikimi i vetëm është paaftësia emblematike për t’u vetëqeverisur. E në vijim të këtij arsyetimi, duhet thënë se është e pafalshme që 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë, ne ende nuk kemi një administratë publike eficente e të mbrojtur nga hordhitë e militantëve tribalo-partiakë, që e pushtojnë këtë administratë sa herë që ndodh një ndërrim zotërish në kullat e pushtetit.

Kështu ka qenë 100 vjet më parë. Kështu është sot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA