Vizita e mirëkalkuluar e Clinton në Tiranë

31/10/2012 00:00

Arben Manaj – Vizita e shefes së diplomacisë amerikane në Tiranë si çdo
vizitë në çdo vend të botës, është e mirëmenduar dhe mirëkalkuluar. Të
mendoje ndryshe do ishte shumë naive. Motivet në të tilla raste janë
gjeopolitike, diplomatike dhe kurrë rastësore.

Është normale që ajo të shikohet nga këndvështrime të ndryshme dhe të do shfrytëzohet për interesa të ndryshme nga pushteti dhe opozita.

Fakt është se Berisha kur ishte herën e fundit në Uashington i ka bërë një ftesë zyrtare Clinton-it për të vizituar Shqipërinë me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Ftesë, që për hir të së vërtetës, do e bënte çdo Kryeministër i ditës.

Por jo domosdoshmërisht shefja e diplomacisë amerikane mund t’i përgjigjej pozitivisht asaj, nisur nga axhenda tejet e ngjeshur dhe prioritetet, që do duhet të shoshitë Departamenti i Shtetit, në bazë të rëndësisë dhe urgjencës së adresimit të sikleteve që has çdo ditë në çdo cep të botës diplomacia amerikane, pa dyshim më e rëndësishmja dhe më ngarkuara në botë, historikisht, por edhe për momentin.

Por edhe pse disa ditë përpara zgjedhjeve të reja presidenciale amerikane, ku gara është shumë e ngushtë dhe askush nuk mund të jetë i sigurt se kush do fitojë, Hilary Clinton vendos të vizitojë Shqipërinë në kuadër të një turneu ballkanik.

Kjo është shprehje e interesave të përhershme dhe ndjekjes së tyre pavarësisht se kush drejton në çdo kohë Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti amerikan është treguar, siç pritet i kujdesshëm, që të përcjellë mesazhet e duhura në publik, mesazhe që jo domosdoshmërisht duhet të jenë publike, kur ka forma dhe kanale të tjera ku mund të përçohen.

Kujdesi është demonstruar edhe në takimet që do kryejë në Tiranë edhe me udhëheqësin e opozitës, z.Rama, takim që ashtu si edhe Kryeministri mund ta shfrytëzojë për qëllimet e veta në prag të garës së ardhshme për “jetë a vdekje” politike në 2013.

Amerika i njeh shumë mirë, madje shumë më mirë se ç’mund ta imagjinojmë ne të gjithë, problematikën dhe defektet demokratike të Shqipërisë, ashtu siç edhe vlerëson edhe bashkëpunimin e saj zyrtar dhe orientimin e padiskutueshëm euroatlantik të çdo qeverie shqiptare pas ‘92-it.

Por Amerika bën lojë të madhe dhe për arritjen e objektivave të saj shpesh të vështira, përmes koncesioneve dhe politikave “tërhiq e lësho”, edhe pa zemër, me aktorë të tjerë të rëndësishëm në botën e sotme disa-polare, të cilët kanë edhe ata interesat dhe mbështetësit e tyre gjeostrategjikë në çdo rajon, dhe më konkretisht në Ballkan, që përdoren në momente të caktuara në funksione të caktuara të interesave të tyre globale.

Vizita e zonjës Clinton mbi të gjitha është e një rëndësie dhe shqetësimi gjeostrategjik, dhe më pak e iniciuar nga shqetësime politike dhe demokratike në nivel lokal.

Clinton vjen edhe për t’i bërë një qokë një vendi aleat të NATO-s, që ka një përvjetor, që nuk është i asnjë qeverie shqiptare, qoftë edhe të ditës, sesa një populli me një orientim mjaft të spikatur proamerikan, ndër më proamerikanit në rajonin e Ballkanit dhe në Europë.

Normal, që do ngrejë edhe shqetësimet demokratike dhe të funksionimit tejet të deformuar të shtetit dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, por për Amerikën, në mënyrë të debatueshme, stabiliteti rajonal ka prevalencë kundrejt stabilitetit dhe imperfeksionit demokratik të shteteve përbërëse të rajonit dhe në rastin konkret të Shqipërisë, të cilën kërkon ta rregullojë rrugës së gjatë të demokracisë.

Për interesat afatgjata amerikane, por edhe afatshkurtra, e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëdhëniet e tyre të ndërlikuara, të cilat kanë pas tyre sponsorët më të fuqishëm sot në botë, SHBA dhe Rusinë, mbesin predominuese.

Shqipëria, domosdoshmërisht luan rol dhe ndikim, edhe pse jo vendimtar përkundër spekulimit populist, në politikat e Kosovës dhe lëshimet që ajo do të duhet të bëjë në dialogun me Serbinë, lëshime që bëhen në funksion të njohjeve më të mëdha për Kosovën dhe futjen e saj eventuale në OKB dhe më pas në BE, bashkë me Serbinë, dhe mundësisht dhe idealisht paralelisht në BE, për të shmangur vetot e mundshme ndaj njëra-tjetrës.

Por kjo ndërhyje amerikane dhe europiane, e demonstruar këto ditë përmes Catherine Ashton, apo dhe vizitës së britanikut ëilliam Hague, bëhet edhe për të zbutur dhe plotësuar deri diku edhe kërkesat dhe tekat dhe intrasigjencat ruse me të drejtë vetoje në OKB dhe në politikën e madhe globale.

Amerika nuk ka nevojë të mbështesë asnjërën forcë politikë në Shqipëri, as atë që është në pushtet as tjetrën që është në opozitë, pasi është e bindur se çdo qeveri në Tiranë, jo vetëm që e ka vokacion politik proamerikanizmin, por edhe e ka të pamundur të kundërtën në këtë shekull që jetojmë.

Për më tepër, amerikanët kanë investuar aq politikisht dhe në forma të tjera, për të mos minuar mbështetjen proamerikane në Shqipëri dhe Kosovë, dhe për këtë mbi të gjitha ka aleat të madh ndjenjën proamerikane të vetë shqiptarëve të thjeshtë, të cilët shohin tek Amerika dhe përfaqësuesit e saj mbrojtësit më të mëdhenj të së ardhmes dhe sigurisë së tyre kombëtare dhe rajonale.

Pa dyshim, Amerika është e vetëdijshme për përpjekjet që do bëhen në Tiranë, për kapitalizimin e kësaj vizite për qëllime politike dhe elektorale ndaj dhe si antidote, diplomacia amerikane ka zgjedhur mesazhet që do përcjellë Clinton në Parlament, por edhe privatisht, që vlejnë për të gjitha forcat politike në Shqipëri.

Në fund të fundit, Uashingtoni do të bashkëpunojë me çdo qeveri të re që vjen në pushtet përmes një procesi demokratik dhe procesi zgjedhor që përmbush standardet demokratike të botës së qytetëruar.

Gjeorgjia është shembulli më i fundit se si e aplikojnë këtë parim Shtetet e Bashkuara.

Kjo rrjedh nga koncepti tashmë i konsoliduar anglo-sakson se nuk ka miq të përhershëm, por interesa të përhershme.

Ndaj kjo vizitë, s’ka asnjë të privilegjuar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA