Van Gaal: Bajerni është një diktaturë

31/10/2012 18:40

Trajneri holandez, Louis Van Gaal, sulmoi ashpërsisht presidentin e Bayernit, Uli Hoeness, të cilin e fajësoi si përgjegjës për largimin e tij nga klubi bavarez, ndërsa kritikoi ashpër mënyrën se si ai realizon punën e tij në drejtim të skuadrës më të suksesshme në historinë e futbollit gjerman.

“I vetmi që kërkoi me këmbëngulje largimin tim nga klubi ishte Uli Hoeness. Për këtë arsye nuk ka asnjë mundësi që unë të rikthehem të bashkëpunoj sërisht një ditë me Bayernin”, deklaroi Van Gaal, në një intervistë të publikuar të mërkurën në të përditshmen gjermane “Bild”.

Në vazhdim të intervistës, Van Gaal shprehu habi për fuqinë e madhe që Hoeness ka grumbulluar në duart e tij, fuqi e cila e pakontrolluar, në mënyrën siç është aktualisht, sipas holandezit dëmton interesat e klubit.

“Nuk më duket normale që në një klub të madh si Bayerni, një person të përqendrojë të gjithë pushtetin në duart e tij. Mbase struktura e klubit e lejon diçka të tillë dhe Hoeness, ndryshe nga paraardhësi i tij Beckenbauer, e ka shfrytëzuar në maksimum këtë. Ai merret me punët e bordit, çështjet ekonomike dhe deri detyrat e trajnerit. Kjo fuqi, është në të mirë të klubit që të kufizohet”, tha ish-trajneri i Bayern, Barcelonës dhe Ajaksit, ndër të tjera.

Top Channel