PS: Humbjet, mbi rekordin e  ‘64

31/10/2012 00:00

Deputeti socialist Arben Ahmetaj ka treguar se përse fatura e  energjisë elektrike e çdo familje sot është 200% më e lartë se në vitin 2005.

Shkaku parësor janë humbjet në rrjet, që sot kalojnë rekordin e vitit 1964, duke kapur shifrën 45% të energjisë elektrike, deklaroi Ahmetaj, për të cilin situata e krijuar është pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë.

Përmes një grafiku të aprovuar nga Enti Rregullator i Energjisë në 2009-ën, që deputeti socialist tregoi për mediat, CEZ-it i vendosej detyrimi i përgjysmimit të humbjeve në rrjet brenda një afati 6-vjeçar.

“Shikoni situatën reale të humbjeve në vitin 2008 dhe sot në 2012-ën. Me ngjyrën blu shihni detyrimin ligjor që kompania ka pasur për të arritur në fund të vitit. Është një rekord i ri humbjesh, më i madhi që prej ’64-ës”, deklaroi Ahmetaj.

Këto humbje, të përkthyera në shifra, vetëm për 2011-ën janë baraz me 149 milionë euro, ndërsa për pjesën e parë të vitit 2012 humbja shënon një tjetër rekord në historinë energjitike shqiptare, plot 100 milionë euro të tjera, deklaroi deputeti socialist.

“Humbja vetëm në pjesën e parë të vitit 2012 është baraz me prodhimin e hidrocentralit të Fjerzës. Puna e një hidrocentrali të tërë shkon dëm”, tha Ahmetaj.

Por ai shtoi se, përkundër kësaj situate, qeveria dhe Enti Rregullator i Energjisë favorizuan CEZ duke i zbutur detyrimin në kontratë, për të ulur humbjet në rrjet dhe duke detyruar KESH të ulë çmimin e energjisë elektrike që kjo kompani i shet CEZ, por duke rritur në këtë mënyrë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët shqiptarë.

“Qeveria ka mbyllur sytë, nuk ka monitrouar. Çfarë ka bërë ERE? Ka favorizuar CEZ, ka funksionuar si një departament që furnizon CEZ-in”, nënvizoi Ahmetaj.

Ahmetaj tha se ky është shkak edhe i ndërprerjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin, duke ritheksuar se sistemi energjitik sot është piramidë dhe situata është tejet e rëndë.

PS prej disa ditësh po bën denoncimin e asaj që e konsideron “falimentimi i sistemit energjitik shqiptar”, sipas saj për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB