Edhe pse plani i ri urbanistik i kryeqytetit është bërë objekt diskutimi publik me komunitetin, këshilltarët socialistë në bashkinë e Tiranës thonë se atyre nuk u është vënë në dispozicion.
“I kemi kërkuar kryetarit të na vërë në dispozicion draftin e planit për të parë detajet dhe ku ka vendosur njollat për klientët e tij. Por ai nuk na i ka vënë në dispozicion, duke mos bërë transparencë përballë interesit qytetar. Planit zviceran të vitit 2008 kryetari i ka vendosur njolla për interesat e caktuara të klientëve të tij”, deklaroi kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi.
Ai theksoi se në Tiranë ka nisur një valë ndërtimesh pa leje që po cënojnë urbanistikën e kryeqytetit e që sipas tij janë të toleruara për arsye klienteliste të kryetarit të bashkisë.
“Por ajo që na shqetëson më shumë është një krim urbanistik që po zhvillohet në Tiranë dita ditës, ndërtime pa leje që po marrin përmasa dramatike”, nënvizoi Dalipi, duke shtuar se do të kërkojë llogari në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak.
Top Channel