LSI njofton zgjedhjen e kryesisë

31/10/2012 00:00

Sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama në një konferencë për shtyp ka njoftuar zgjedhjen e strukturave të kësaj partie. Sipas Ramës, në këtë proçes u zbatuan parimet gjinore dhe u arritën standartet e një partie evropiane.

“U zgjodhën strukturat e LSI-së. Kryesia e LSI përbëhet nga 25 anëtarë. Në këto zgjedhje është zbatuar parimi i barazisë gjinore dhe 50% në këtë forum janë gra e vajza dhe anëtarë të propozuar e të zgjedhur nga radhët e LRI”, ka deklaruar Rama.

Ai ka saktësuar më tej se mes anëtarëve të kryesisë spikasin emrat: Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Erisa Xhixho, Ilir Meta, Lefter Koka, Luan Rama, Monika Kryemadhi, Nasip Naço, Petrit Vasili, Shezai Rrokaj, Ylli Manjani, etj.

Më herët gjatë muajit në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim u votua për postin e kryetarit, një garë ku sfidantë ishin Ilir Meta dhe vetë Luan Rama.

Fitues u shpall Meta, me anëtarësinë e kësaj force politike që votoi pro tij në masën 79%. Ndërsa rivali i tij mori rreth 21% të votave. Meta tha se kjo ishte fitorja e tij më e bukur, pasi në këtë garë, ndryshe nga vite më parë, ai kishte një rival.

“Është një fitore pas një debati dhe fitorja më e madhe është hapja e një dëbati brenda LSI dhe është e rëndësishme që ky debat të vazhdojë në të ardhmen. Një debat që do të zhvillohet jo vetëm me anëtarët dhe simpatizantët tanë, por edhe qyetarët në prag të zgjedhjeve të vitit 2013”, tha Meta.

Ndërsa të dielën, në ditën e dytë të Konventës Kombëtare të LSI u miratua platforma politike dhe ndryshimet statutore, përmes të cilave rritet përfaqësimi i grave dhe ulet kufiri i moshës për t’u anëtarësuar në këtë forcë politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB