Juve ruan pathyeshmërinë, Inter ndjek nga pas

31/10/2012 23:51

Goli i Pogba në minutat shtesë i ka dhënë fitoren 2-1 Juventusit përballë Bolonjës dhe njëkohësisht mban të pathyer deri tani “Zonjën e Vjetër”.

Rezultati u zhbllokua në pjesën e dytë, kur Kualjarela kaloi Juventusin në avantazh. Miqtë barazuan në minutën e 71-të me Taider.

Atëherë kur të gjithë menduan se fitorja ishte e pamundur, 19-vjeçari francez shënoi golin me vlerën e 3 pikëve për Juven, që vazhdon të mbajë vendin e parë me 28 pikë.

Ndërkohë, Interi i Stramaçonit përmbysi rezultatin dhe mundi 3-2 Sampdorian, duke shënuar fitoren e 6-të rradhazi. Munari përfitoi nga një gabim i Ranokias dhe kaloi Sampdorian në avantazh.

Në fillimin e të dytës, Milito barazoi shifrat me anë të një 11-metërshi, ndërkohë që disa minuta më vonë shënuan edhe Palasio me Guarin. Në fund, Eder shkurtoi diferencën e golave, por minutat e mbetura nuk i lejuan Sampdorias të shpresonte për barazim.

Me këtë sukses dhe falë humbjes së Napolit 1-0 me Atalantën, Interi ngjitet në vendin e dytë, 4 pikë më pak se Juventusi kryesues.

Top Channel