Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i bëri thirrje bankave që të ndryshojnë politikën ndaj biznesit dhe individëve për të kapërcyer situatën e vështirë që po kalon ekonomia.
“Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë t’u përgjigjet nevojave për kredi. Por ai duhet të jetë më largpamës dhe më fleksibël në mbështetjen financiare të biznesit”, deklaroi Fullani.
Zoti Fullani tha se ritmet e kredisë për ekonominë kanë rënë kryesisht për shkak të kërkesës së ulët nga sektori privat, por nënvizoi se edhe bankat kanë luajtur rolin e tyre me politikat shtrënguese.
“Sistemi bankar vijon të jetë i kujdesshëm në zgjedhjen e projekteve që financon, si pasojë e rënies së cilësisë së portofolit të kredisë dhe vështirësive të paperceptuara për të ardhmen. Bankat janë shfaqur mjaft selektive në zgjedhjen e projekteve të biznesit”, theksoi Fullani.
Pas mbledhjes së përmuajshme të Këshillit Mbikëqyrës, zoti Fullani tha se ambienti ekonomik do të mbetet i vështirë. Sipas tij, banka qëndrore do të vazhdojë ta mbajë të ulët normën bazë për të mbështetur ekonominë, pasi edhe rreziqet për inflacion janë të ulëta.
Top Channel