CEZ: Edhe mund të largohemi

31/10/2012 00:00

CEZ deklaroi se po konsideron mundësinë për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë shqiptare për tarifat e çmimit të energjisë dhe taksave të tjera.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia prestigjoze e lajmeve “Bloomberg”, e cila përcjell deklaratat e drejtuesve më të lartë të kompanisë në Prage.

“Largpamësia në tregun shqiptar është inekzistente dhe CEZ nuk ka gjetur një parnter të qartë negocimi”, deklaroi në një konferencë për shtyp një nga antarët e bordit drejtues të kompanisë, Tomas Plescac.

Sipas “Bloomberg”, në gjysmën e parë të vitit CEZ raportoi një humbje prej 110 milionë dollarësh në Shqipëri dhe shkaku ishte, sipas agjencisë ndërkombëtare, rritja e çmimit me të cilin kompania blen energji nga KESH, pa ndryshuar çmimin fundor, ndërkohë që edhe treguesit e humbjeve janë përkeqësuar në nivelet më të dobëta historike.

Mosmarrëveshjet mes CEZ dhe qeverisë shqiptare u përshkallëzuan në verën e këtij viti, shkruan “Bloomberg”, kur Tatimet vendosën një gjobë prej 30 milionë eurosh ndaj kompanisë.

“Problemi në Shqipëri është se nëse ne arrijmë një marrëveshje me një institucion të caktuar, më pas vjen një tjetër institucion, i cili ngre pretendime krejt të ndryshme. Nuk ka një person apo trup të posaçëm me të cilin mund të negociosh”, është shprehur drejtuesi i CEZ.

Kompania bën të ditur se po shqyrton opsionin për të kërkuar garancinë 60 milionë euro, të vendosur nga Banka Botërore.

Marrëdhëniet e CEZ me qeverinë shqiptare, shkruan “Bloomberg”, janë përkeqësuar deri në pikën ku kompania çeke u detyrua të zëvendësonte drejtuesit e saj në Shqipëri me një grup ekspertësh të negociatave nga një kompani angleze, të cilët tashmë do të duhet të menaxhojnë proçesin e largimit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta