ANDREA STEFANI – Ndërsa deri edhe një revistë amerikane si “The New
Republic” boton një artikull ku Berisha klasifikohet si një autokrat së
bashku me Kabilën, në Tiranë ambasadori i OSBE vazhdon të shprehet
besimplotë se kryeprokurori i ardhshëm do të jetë një person i pavarur
nga Kryeministri.
“Kam besim që të gjendet një personalitet që ta bëjë punën e kryeprokurorit në mënyrë të pavarur edhe të paanshme”, ka deklaruar për mediat Eugen Wolfarth. Dhe është krejtësisht i pamundur të kuptosh se nga e ka burimin ky besim i Wolfarth. Sepse, për këdo që ndjek dhe kupton zhvillimet politike në Shqipëri, është e qartë se do të ndodhë krejt e kundërta pra, që kryeprokurori i ardhshëm do të jetë një delfin i Kryeministrit Sali Berisha. Për këdo që kupton realitetin shqiptar Wolfarth, që duket se nuk e kupton fare këtë realitet (apo nuk do ta kuptojë?), do të mbetet i pakuptueshëm. Kemi të bëjmë me një moskuptim të moskuptimit.
***
Do të qe më e zgjuar që ambasadori Wolfarth të mos fliste fare sesa të shprehte besimin për gjëra që nuk kanë fare shanse të ndodhin. Që kryeprokurori i ardhshëm do të jetë vegël e Berishës nuk vendoset tani, por është parashkruar rreth 4 vjet më parë kur u bënë ndryshimet e Kushtetutës. Në atë Robert Bosh, paraardhësi i Wolfarth në Tiranë, ishte mes atyre ndërkombëtarëve që e përshëndetën si historik konsensusin mes PD dhe PS për ndryshimin e Kushtetutës. Dhe ndër nenet e amenduara, që edhe ai që kishte të bënte me kryeprokurorin e Republikës. Sipas Kushtetutës së vitit 1998, kryeprokurori kishte një mandat të pakufizuar. Kërkesa për kufizimin e këtij mandati u bë e fortë veçanërisht pas skandalit të rrugës Rrëshen-Kalimash dhe tragjedisë së Gërdecit. Shihej qartë se Berisha i shikonte hetimet e prokurorisë mbi këto skandale, që implikonin njerëz të afërt të tij, si një hanxhar që i rrinte mbi kokë. Nevoja e Berishës për të shmangur hetime të pavarura mbi këto skandale, pra nevoja për të mos luftuar dhe jo nevoja për të luftuar korrupsionin, ishin në themel të kufizimit që iu bë mandatit të kryeprokurorit me ndryshmet e Kushtetutës në prill 2008 në dakordësi fatale dhe të pafalshme edhe me PS dhe Edi Ramën. Tani, pas rreth 4 vjetësh, ka ardhur momenti që Berisha mezi e ka pritur, të përzërë nga zyra Ina Ramën, që nuk arriti ta bëjë vegël të tij me gjithë elozhet për “Sivia Konti”, dhe që në vend të saj të vendosë një nga besnikët e tij të tipit Halimi, Nishani apo Ristani. Asgjë nuk e pengon ta bëjë një gjë të tillë, as Kushtetuta, as Presidenti, as edhe shumica e nevojshme në Kuvend që nuk i mungon. Dhe pikërisht në këtë moment ambasadori i OSBE, Wolfarth, del e shpreh besimin se do të kemi një kryeprokuror të pavarur!! Mos ndoshta ambasadori i nderuar beson ende të përrallën e vjetër të vitit 2005 se Berisha ka ndryshuar dhe nuk është më ai autokrati që sot e denoncon edhe një revistë amerikane si ajo “The New Republic”?!
***
Por le të pranojmë, për një moment, se të gjitha këto janë racionalizime të njerëzve me armiqësi të fiksuar dhe të pamerituar për Berishën dhe se gjërat nuk janë fare kështu, dhe se Wolfarth ka një farë të drejte të ketë besim. Ndaj t’i drejtohemi Komisionit të Venecias që qysh në vitin 2009, ka publikuar një opinion për amendimet e Kushtetutës të kryera në Shqipëri në prill 2008. Në dokumentin në fjalë, thuajse të gjithë amendimet në fjalë janë cilësuar si të pranueshme dhe vetëm dy prej tyre. Ato për mocionin e besimit të Kryeministrit dhe kryeprokurorin, cilësohen qartazi dhe prerë si negativë. Dhe ja si shkruhet në konkluzionet e opinionit të Komisionit të Venecias: “Shumica e amendamenteve mund të shikohen si përmirësime dhe qartësime të tekstit ekzistues. Gjë që nuk mund të thuhet për amendimet e nenit 104 për mocionin e besimit dhe nenin 149 për kryeprokurorin. Ky amendament i fundit shfaqet në të vërtetë si një hap për të ardhur keq prapa duke e bërë këtë institucion më pak të pavarur”. Dhe është pasur parasysh edhe që vendosja e një mandati shumë të shkurtër 5 vjeçar për kryeprokurorin, do të sillte shumë shpejt momentin ku jemi, pra kur një Kryeministër i korruptuar i kërcënuar nga hetimet e mundshme të kryeprokurores, do ta heqë qafe këtë kryeprokurore. Por e keqja më e madhe është se këtë mbrojtje të pushtetit të tij të korruptuar, do ta bëjë kushtetueshmërisht! Aq në ankth është Berisha që ta largojë sa më shpejt Ina Ramën nga ai post, sa ka vënë gjithë juristët e tij të “argumentojnë” me të gjithë sofizmat e mundshëm juridikë, që afati i kryeprokurores mbaron në nëntor të këtij viti dhe jo në maj të vitit tjetër. Nga ana e tij Wolfarth, që jo shumë larg u shpreh se koha më e përshtatshme për largimin e kryeprokurores do të ishte maji dhe jo nëntori, nuk kujtohet më ta mbrojë këtë deklarim. Duket ka vërtet besim se mund të kemi një kryeprokuror të pavarur që nuk do të bëhet vegël e Berishës. Atij nuk i shkon fare ndër mend, pra dhe nuk shqetësohet, se nxitimi i Berishës mund të lidhet edhe me ndonjë skemë “antikorrupsioni” që e zhvilluar në muajt që na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme, do t’i shërbente atij për të varë edhe dy zogj të tjerë me një të shtënë: do godiste apo shantazhonte opozitën dhe do retushonte bilancin katastrofik të mosndëshkueshmërisë së korrupsionit në nivele të larta. Moskuptimi i shfaqur nga Wolfarth për këto të vërteta është shqetësues, sepse besimi apo shpresa që ai shfaq, mund të bëhet një tymnajë që do të lejonte të keqes të përparonte nën maskën e “normalitetit”. Nën këtë lloj “besimi” Shqipëria u rrokullis në vitin 1997 nga një ekonomi tregu e suksesshme në greminën e kolapsit të piramidave financiare. Nën këtë lloj “besimi” për një President konsensual u zgjodh një President aq partiak sa praktikisht, Kryeministri kryetar partie është edhe Presidenti de facto i Republikës. Nën këtë lloj “besimi” të paarsyeshëm, që i përhapur nga ndërkombëtarë si ambasadori i OSBE Wolfarth vepron si një opium mbi mendjen e opinionit shqiptar, autokratizmi i Berishës po përparon nën emrin e demokracisë dhe integrimit në Europë. Në këto rrethana pozicioni dhe misioni i ambasadorit Wolfarth në Tiranë bëhet krejt i pakuptueshëm.
Top Channel