Atmosfera festive e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe komunitete shqiptare që jetojnë në vende të ndryshme të Europës po organizojne ceremoni të veçanta me rastin e këtij viti jubile.
Njëra prej tyre ishte ajo e komunitetit shqiptar që jeton në Bolonja të Italisë, ku ishte e ftuar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kryeparlamentarja zhvilloi një bisedë të hapur me përfaqësues të komunitetit shqiptar të Italisë, duke ndarë me ta sfidat, vështirësitë dhe arritjet që Shqipëria ka shënuar në këto 100 vite.
Zonja Topalli tha se shqiptarët në Shqipëri, Itali dhe kudo që ndodhen festojnë këtë 100-vjetor të lirë dhe krenarë, pasi sot vendi është anëtar i NATO-s, shqiptarët lëvizin të lirë drejt hapësirës Shengen dhe sepse po bëhen përpjekje për t’iu bashkuar plotësisht familjes europiane.
Një takim të veçantë, kryetarja e Kuvendit e zhvilloi edhe me studentët shqiptarë të Universitetit të Bolonjës, një ndër më të vjetrit dhe më prestigjiozët në Europë dhe në botë, të cilët i ftoi të kthehen në Shqipëri për të dhënë më të mirën e tyre për zhvillimin e vendit.
Në mjediset e Universitetit të Bolonjës, Topalli vizitoi edhe ekspozitën fotografike nga arkivi i mjeshtrit të fotografisë, Pjetër Marubi, hapur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Top Channel