Uruguaj, 16 kartona të kuq në një ndeshje

30/10/2012 17:30

16 futbollistë të përjashtuar me karton të kuq, nga tetë për çdo skuadër. Ky ishte rezultati i një zënke masive në një ndeshje futbolli në Uruguaj, e cila duket e destinuar për t’u futur në librin e rekordeve “Guiness”.

Pas përfundimit të ndeshjes së kampionatit në barazimin 3-3, një prej futbollistëve të Juventud provokoi një sherr masiv, i cili përfshiu pothuajse të gjithë futbollistët në fushë.

Si rrjedhojë e shkëmbimit të grushtave dhe shqelmave të ndërsjellta, disa futbollistë u shoqëruan në spital, ndërsa gjyqtari ndërhyri në fushë duke shfaqur kartonin e kuq në raste “të pafundme”.

Në përfundim të ndeshjes, klubi i Juventud informoi për përjashtimin e futbollistit Cristian Latorre, pasi ishte ai nismëtari i zënkës.

Ndërkohë, Federata Uraguajane e Futbollit informoi se është duke analizuar të gjithë sekuencën e ngjarjeve dhe pritet të marrë masa të ashpra ndaj futbollistëve të përfshirë.

Pavarësisht masave të ashpra, dhuna në futbollin uruguajan është një ndodhi e shpeshtë. Në një ndeshje të zhvilluar në muajin maj, 17 futbollistë të ekipeve Cerro dhe Cerro Largo u dënuan me pesë ndeshje pezullim, pas një zënke masive në një ndeshje kampionati.

Top Channel