“Skyfall”, rekord historik arkëtimesh

30/10/2012 00:00

Filmi “Skyfall” ka regjistruar arkëtimet më të mëdha në historinë e të
gjithë filmave me agjentin James Bond. Kështu tregojnë shifrat e
publikuara nga kompania kinematografike “Sony Pictures”.

Filmi ka arkëtuar në Mbretërinë e Bashkuar mbi 20 milionë stërlina fundjavën e kaluar, duke shënuar rekordin për vitin 2012, si dhe hapjen më të suksesshme të të gjitha kohërave të “Bond-movies” në Britani.

Megjithatë, “Skyfall” nuk ka arritur të kalojë rekordin e vendosur vitin e kaluar nga “Harry Potter and the Deathly Hallows”, pjesa e dytë. Filmi me magjistarin arkëtoi 23 milionë stërlina në fundjavën e parë të transmetimit.

Michael G Wilson dhe Barbara Broccoli, producentë të filmit të 23-të me agjentin 007 thanë: “Jemi shumë të kënaqur me reagimin ndaj “Skyfall” këtë fundjavë. Është vërtet e veçantë sepse Britania është shtëpia e James Bond dhe ndërkohë po festohet 50-vjetori i këtij personazhi”.

Saga e James Bond është më e gjata në historinë e kinematografisë. Filmi, ku interpretojnë edhe aktorët Judi Dench dhe Javier Bardem, u shfaq në 587 salla kinemaje në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara fansat do të mund ta shohin nga 9 nëntori.

“Skyfall”, që këtë herë mban regjinë e Sam Mendes, sheh aktorin Daniel Craig sërish në rolin e spiunit të famshëm, pas suksesit të “Casino Royale” dhe “Quantum of Solace”. Ai tashmë ka firmosur edhe për një film tjetër të Bond.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA