Messi: Jam lodhur nga krahasimi me Cristianon

30/10/2012 18:40

Leo Messi, fituesi i Topit të Artë në tre edicionet e fundit, është shprehur se objektivi i tij i radhës është fitimi i një kampionati botëror me Argjentinën dhe jo fitimi për të katërtën herë i këtij çmimi individual.

“Të jem kampion bote është ëndrra që më ka mbetur e parealizuar. Do të hiqja dorë nga Topi i Artë për të fituar Kupën e Botës”, deklaroi argjentinasi i Barcelonës në një intervistë për ‘France Football’.

Sulmuesi 25-vjeçar tregoi edhe se kush do të jenë kandidatët kryesorë për Topin e Artë FIFA: “Xavi, Iniesta, Cristiano, por edhe Iker Casillas. Kushdo mund ta fitojë.”

Kur u pyet për rivalin e tij, Cristiano Ronaldon e Real Madrid, Messi tha: “Gazetarët gjithmonë duan të na krahasojnë. Në gjithçka që bëjmë, gazetarët kërkojnë të shohin konkurrencë mes nesh. Jam lodhur nga kjo gjë.”

Top Channel