Kemi parë shumë filma e dokumentarë për minierat, profesionin dhe jetën e minatorit megjithatë është krejt tjetër kur e sheh dhe e prek nga afër realitetin. Bujar Selita është një nga minatorët më të vjetër në këtë profesion, i cili pranon të na tregojë se si ka shkuar jeta e tij disa pashë nën dhe’.

“Kam 20 vite që punoj minator. Profesion shumë i vështirë, më pëlqen nga zori. Ajo kohë vetëm këtë mundësi më dha”, shprehet Bujari.

Familja është arsyeja kryesore për të cilën minatori pranon të bëjë kompromis, çmimi i të cilit nuk është pak, por mungesa e tyre e gjatë pranë njerëzve më të dashur: “Familjen e takoj një herë në 10 ditë. Fëmijët do të donin të isha në një punë më të mirë, të më kishin pranë, por këto mundësi kam.”

Profesioni i minatorit konsiderohet si një nga profesionet më të vështira dhe këtë Bujari e ka ndjerë gjatë të gjithë eksperiencës së tij 20-vjeçare: “Profesion i vështirë, nuk kanë vënë dorë te ne. Dalim në pension në moshën 60-vjeçare. Nuk ka kuptim.”

Shumë prej nesh janë mësuar ta kalojnë kohën e lirë jashtë ambienteve të punës, me miq e shokë, për të pirë një kafe apo për të shijuar një darkë, por shumë pak e dinë së çfarë do të thotë të kalosh kohë e lirë në ambientet e punës me shokët e punës. Megjithatë ata kanë edhe një vend ku më së shumti kalojnë kohën.

“Krasta nuk është qytet i zhvilluar, por ka klube, bilardo… E kalojmë kështu kohën”, thekson Bujari.  

Ai ndjek një regjim të rregullt ushqimor dhe ka ëndrra edhe për fëmijët e tij: “Fëmijët mundohem t’i edukoj si europianët. Dua të jenë të kulturuar dhe të pasur.”

Në vazhdim dëshiron të kalojë disa ditë të qeta dhe të lumtura pranë familjes, pa menduar për punën dhe nëntokën. Por ndërkohë ka edhe një ëndërr që nguron ta thotë para kamerave dhe nuk beson se do t’i realizohet ndonjëherë. Ëndrra e tij më e madhe: të jetë i pasur!

Jeta e familjes së një minatori që nuk është më

“Ka qenë lajmi më i tmerrshëm i jetës sime. Humba bashkëshortin dhe mbeta e vetme me një vajzë 1 vjeç.”

Merita dhe Daniela janë familja e Mehmet Ilamajt, minatorit që humbi jetën në vitin 1997. Askush nuk e priste, por që nga ajo ditë, Merites iu desh të vazhdonte jetën e vetme.

“E njihja prej tre vitesh dhe u martuam. As dy vite martesë nuk bëra dhe që nga ajo kohë rrita vajzën e vetme. Puna e minatorëve është shumë e vështirë”, tregon Merita.

Disa ditë pasi bashkëshorti kishte ndërruar jetë, vendosi të shkonte tek prindërit e saj. Jeta i kishte rezervuar shumë vështirësi dhe të papritura, por të paktën sot, kur kanë kaluar 15 vjet, ndjehet krenare për diçka: ajo ia doli mbanë të rriste një zonjushë të vërtet, frytin e dashurisë së saj të madhe.

“Nuk di si është t’i kesh të dy prindërit dhe një familje me motra e vëllezër”, shprehet Daniela.

Megjithatë Merita ka ende disa pengje të vogla për vogëlushen e saj: “Do doja të kisha një shtëpi timen sepse jam me qera. Gjithashtu do doja që vajza të kishte dhomën e saj, një kompjuter e shumë gjëra të tjera që i mungojnë.”

Daniela, në të ardhmen dëshiron të vazhdojë Akademinë e Rendit. Di shumë pak gjëra nga babai i saj të cilin nuk pati fatin ta njihte, por ka bërë kërkime për të zbuluar qoftë edhe disa detaje të vogla.

“Kam parë shumë foto të tijat dhe kam takuar një shokun e tij të shkollës që më ka treguar për të disa gjëra”, thekson Daniela.

Është e ndrojtur dhe na shmang shikimin, por nëna e saj e pranon pa ndrojtje realitetin që do të dëshironte të ishte krejt ndryshe. Edhe kur ishte gjallë Mehmeti, mbijetesa ishte shumë e vështirë. Por, pas humbjes së tij, sakrificat për t’ia dalë mbanë janë shumë të mëdha.
 
“Shpresoj ta blej një televizor sepse po jetojmë si në Mesjetë, por mundësia nuk është për momentin”, deklaron Merita.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA