Janë të shumta monumentet e kulturës që flenë të braktisura në qarkun e Korçës e për të cilat mungon promovimi apo përkujdesja tërësore.
Prej vitesh, askush nuk ka folur për to, askush nuk është kujdesur e aq më pak të ketë investuar për shpluhurosjen e tyre. Një shpluhurosje që perveçse do të ringjallte historinë, do të rrisë edhe numrin e turistëve në këtë zonë që mbart mbi vete vlera të mëdha.
Udhëtimi i reportazhit të përjavshëm të së hënës, “Shqipërisë Tjetër”, mes monumentesh të gjunjëzuara nga harresa nuk mund te mos niste nga godina ku Themistokli Gërmenji, në dhjetorin e 1916-s shpalli sëbashku me patriotët korçarë krahinën autonome të Korçës.
Por, sot gjithçka është kthyer në një grumbull gurësh të çatrafisur mbi njeri-tjetrin, në një grumbull gurësh të pluhurosur mes të cilëve është shkërmoqur dhe kjo pjesë e rëndësishme e historisë që i takon jo vetëm një qyteti.
Pak metra më tej edhe shkolla e parë e vashave në Korçë e hapur në 23 tetor 1891 tashmë është thjesht një shesh ndërtimi.
Teksa edhe Mësonjtorja e parë shqipe ka nisur të jape shenjat e para të degradimit mes animit dhe rrumbullakosjes së mureve që shqetësojnë gjithëkënd që rreket ta vizitojë perveç atyre që duhet të investojne e ta mbrojnë atë.
“Ne thjesht mburremi me diçka nga e shkuara, por nuk përpiqemi ta ruajmë që ta shikojnë brezat e tjerë. Rënimi tregon edhe rënimin e vetë historisë së Shqipërisë, pasi pa këto monumente nuk mund ta tregojmë historinë dhe pa to nuk mund të kemi gjithashtu një vend peligrinazhi për të nderuar rilindasit apo vetë historinë e shtetit tonë”, deklaroi Niko Kotherja, një koleksionit dhe studiues vendas.
Por, skena e çngjyrosjes , shkatërrimit, degradimit nuk mbaron këtu. Pak kilometra më tej, në Mborje, kisha e Ristozit, një monument kulture i vitit 1948 dergjet mes dëmtimeve që i dallohen qartazi në të gjithe trupin e saj.
Ky objekt kulti konsiderohet si një ndër më të vjetrit në Ballkan, por kjo mesa duket nuk mjafton për të terhequr vemendjen e organeve qe duhet ta mbrojnë atë.
Manastiri i Shën Kollit në Boboshticë tashmë është vetëm një kujtim i së shkuarës. Prej muajsh ai është shembur krejtesisht si pasoje e demtimeve të shumta që nuk u restauruan kurrë.
Në Vithkuq, në fshatin e piktorëve korçarë, një tjetër objekt kulti lëngon i braktisur. Kishës së Shën Mëhillit, monument kulture i vitit 1963, i dallohen vetëm disa ndërhyrje te shëmtuara që ngrene krye si arna diku po e diku jo përgjatë mureve e çatisë së saj.
Jo larg dallohet manastiri i Shën Pjetrit, edhe ky i lënë tej si një mall pa zot, me mure të çara e deformime që duket sikur do t’i marrin jetën nga çasti në çast. Hartat e krisura janë zgjatuar gjithëanesh si një gangrenë që kërkon ta gërryeje plotësisht e bashkë me të edhe afresket e Zografit e Shpatarakut.
Në fshatin Turan të Korçës, Kulla monument kulture e vitit 1948, e ndërtuar në shekullin e XVII ka pësuar demtime të shumta. Kushtet atmosferike, por edhe nderhyrjet e rralla që janë bërë për mbrojtjen e këtij objekti, ia kanë bjerë jo pak frymëmarrjen.
Asgjë nuk ndryshon në Dishnicë, ku kulla e dikurshme përfaqësuese e saj nuk egziston thuajsë me, ndërsa në Malavec ajo është thjesht një gërmadhe së cilës mbetet për t’iu matur koha kur do të bjerë përfundimisht. Vetëm përmes tabelës perkatëse mund të kuptosh se kjo ngrehinë e shqyer është një tjetër monument kulture.
Ne fshatin Symizë, diku pas shpines se fshatit të paqëm nuk ka me asnje kala. Kërkuesit e vazhdueshëm të arit e kanë zhdukur atë plotesisht. Sot duket thuajse e pamundur edhe të imagjinosh që përtej gureve e shkëmbinjeve të shpërndarë kuturu një monument i tille ka ekzistuar dikur.
Fat me te mire nuk ka patur edhe kalaja e fshatit te afert Lumalas. Nderkohe ne Devoll kalaja e Poncares ne komunen Miras, monument kulture i shpallur ne vitin 1973, sot është kthyer veç në toke buke.
Rezultat i germimeve me mjete te renda ne kerkim te arit. Asgje nuk ndryshon edhe ne Bilisht, ku kalaja e demtuar nga makineri te renda duket se është e veshtire të dallohet më.
Udhetimi do te vazhdonte pa fund si pjese e nje realiteti te trishte shkaterrimi qe ka zaptuar monumentet e kultures ne kete zone. Vlera qe humbin, qe rrenohen, qe i japin fund historise jo vetem te nje fshati, apo te nje krahine por te gjithe nje vendi qe rrezikon të humbë monumentet e tij.
Kala, kisha e xhami shekullore, kulla, shtepi historike deshmi te rrenjeve te nje kombi po zhduken pa lene pas asnje gjurme duke marrë me vete pjesë të rendesishme të identitetit te tij.
Top Channel