Kosta Barjaba – Ngjarjet e fundit kriminale në vend kanë tërhequr me të drejtë vëmendjen dhe zemërimin e publikut.
Pas ngjarjeve të tilla makabre kemi parë në ekrane apo tubime njerëz të zemëruar. Përgjithësisht këta individë janë gra e vajza ose aktivistë të të drejtave të njeriut. Megjithatë nuk kemi parë në panele ministra që japin llogari ose kërkojnë mbështetjen e publikut për të bërë më mirë punën e tyre. Është krijuar përshtypja e rreme sikur çështjet sociale janë individuale e familjare, e shumta komunitare, ndërsa shteti ka çështjet e veta: të mëdha e solemne, që nuk kanë lidhje me jetën e përditshme të qytetarëve. Por në fakt nuk është kështu. Shteti duhet të jetë brenda çdo problemi social, në format, me mjetet dhe intensitetin që ndryshon në varësi të kontekstit. Është anormale që ndërsa të gjithë shqiptarët shprehnin zemërimin për tragjedinë e Ajshes, të cilës barbari i preu ëndrrat dhe jetën në lulen e rinisë dhe fëmijës së saj jetën, ende pa e nisur, Kryeministri fliste me hipokrizi për gratë sipërmarrëse dhe nuk pamë t’i dridhej zëri për fatin e kësaj vajze të re, e cila mund të bëhej një ditë sipërmarrëse, mjeke apo edhe Kryeministre. Shteti ka braktisur jetën e individëve, familjeve, komuniteteve. Prandaj duhet më shumë sesa zemërimi i tij. Shteti duhet të vijë në vete, me një vizion të ri të tij ndaj problemeve sociale të shoqërisë.
1. Rrezja e veprimit të shtetit
Në librin e tij “Ndërtimi i shtetit”, Fukuyama, tashmë profesor në Stanford, bën fjalë për dy përmasa të shtetit: shtrirjen dhe forcën. Mendimtari politik nënvizon se këto dy përmasa të shtetit zhvillohen me intensitet të ndryshëm. Ka shtete që kanë shtrirje të kufizuar, por rreze veprimi shumë të gjatë dhe një forcë të madhe realizuese. Shtetet e Bashkuara, për shembull, kanë një sistem qeverisës të kufizuar, i cili qëllimisht e ngushton hapësirën e veprimit të shtetit. Institucionet amerikane, për shkaqe historike, janë ndërtuar apostafat për të kufizuar ndikimin e shtetit në zona të shoqërisë, të cilat mendoheshin si të papërshkueshme prej tij. Zona të tilla ishin rishpërndarja, politikat sociale, sigurimi universal i shëndetit, arsimi universitar etj. Këto zona, gjatë qeverisjes së demokratëve, sidomos gjatë administratave Klinton dhe Obama, janë bërë gjithnjë e më të përshkueshme prej shtetit. Ndërkohë, në zona të tjera të shoqërisë, shteti jo vetëm është i pranishëm, por është edhe jashtëzakonisht i fortë dhe goditës. Shoqëria amerikane është pajtuar tashmë me faktin se thelbi i shtetit është zbatimi pa kushte i ligjit. Madje, në mënyrë të verbër. Nuk gjendet vend tjetër në botë, ku forca, autoriteti dhe goditja e shtetit të jenë kaq të qarta dhe të natyrshme sa në Shtetet e Bashkuara. Pra, shtrirja e kufizuar e shtetit amerikan kompensohet nga forca e jashtëzakonshme goditëse e tij. Por ka gjithashtu shtete që kanë një shtrirje të gjerë, por një rreze veprimi dhe forcë goditëse të kufizuar. Në këto raste, forca goditëse e kufizuar e shtetit kompensohet nga shtrirja e gjerë e tij. Shteti shtrihet në hapësira mjaft të gjera, të cilat përfshijnë rregullimin e mjaft aspekteve të jetës së shoqërisë. Ndërkohë, disa prej zonave nga ku prezenca e shtetit konsiderohet si e “natyrshme”, janë shërbimi universal shëndetësor, arsimimi i fëmijëve të grupimeve apo zonave të margjinalizuara, nxitja me financime publike e punësimit, shpenzimet e konsiderueshme për sigurimin e qytetarëve të papunë ose të pambrojtur etj. Pra, siç shihet, debati ose dallimet mbi shtrirjen apo kufizimin dhe forcën apo moderacionin e shtetit, më qartë se në çdo sferë tjetër të fabrikës së shoqërisë, konstatohen në fushën e politikave sociale.
2. Shteti ynë në matricën e Fukuyamës
Fukuyama bën fjalë për matricën e aftësive shtetërore. Kuadrati i parë i matricës përfshin shtete me shtrirje e funksione të kufizuara, por me efektivitet të lartë. Kuadrati i dytë përfshin shtete me shtrirje të gjerë dhe efektivitet të lartë. Kuadrati i tretë përfshin shtete me shtrirje të kufizuar dhe efektivitet të ulët. Kuadrati i katërt përfshin shtete me shtrirje të gjerë, por me efektivitet të ulët. Nuk gjeta dot një vend, në asnjërin prej kuadrateve të kësaj matrice, për të vendosur shtetin tim. Problemi është se, në këtë kontekst, ne nuk kemi as një shtet të fortë, as një shtet të shtrirë, por një shtet të munguar. Shteti ynë është tërhequr nga mjaft funksione të tij minimale kryesisht të fushës sociale, si mbrojtja e të varfërve, shëndeti publik, të drejtat e pronësisë; ka braktisur disa prej funksioneve të ndërmjetme si sigurimi shoqëror, arsimi publik dhe mbrojtja e mjedisit; ka injoruar disa prej funksioneve aktiviste si politikat adekuate industriale dhe shpërndarja më e drejtë e mirëqenies. Më e keqja është se shteti ynë ka zbehur forcën zbatuese të institucioneve, ka kufizuar rrezen e tij të veprimit dhe ashtu, i strukur në llogoren e vet, zhvillon interesat e veta, të shkëputura nga interesat e qytetarëve.
3. Aftësitë e munguara shtetërore dhe inkurajimi i dhunës
Shkrova më lart se publiku nuk ka parë asnjë ministër, pale Kryeministrin apo shtetarët e tjerë të lartë, të shprehin indinjatën e tyre ndaj zinxhirit të krimeve, të cilat shpesh kapërcejnë imagjinatën normale dhe arrijnë në kufijtë e llahtarisë. Kjo ndodh për shkak se, për mentalitetin qeverisës në Shqipëri, jeta e përditshme e qytetarëve, sidomos çështjet individuale apo familjare, dhe qeverisja nuk kanë asnjë lidhje. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që, ndërsa disa kilometra larg kryeqytetit Ajshja e sapodalë nga bankat e shkollës masakrohet, në të njëjtën distancë kilometrike, në anën tjetër të horizontit, Kryeministri, në vend që t’u flasë fëmijëve, mësuesve e prindërve për vlerat e solidaritetit social, u bën thirrje vogëlushëve të mësojnë prindërit si të votojnë për qeverinë. Këtu problemi nuk është pse Kryeministri përdor shkollën për t’i përçuar mesazhe publikut. Në çdo vend demokratik, Kryeministri, Presidenti apo Mbreti qoftë, mund t’i drejtohen kombit nga një klasë shkolle me mesazhe pajtimi të qytetarëve dhe grupeve shoqërore me njëri-tjetrin, senzibilizimi kundër krimit, mbrojtjes së vlerave dhe trashëgimisë kombëtare etj. Me thirrjet e papërgjegjshme nga oborret shkollore, Kryeministri bën dy gabime: e para, ndërsen fëmijët, mësuesit dhe prindërit kundër njëri-tjetrit; e dyta, me heshtjen e tij ndaj krimeve monstruoze që ndodhin në vendin dhe në kohën që qeveris, i pranon në heshtje këto krime si një dukuri e zakonshme. Ky pranim i heshtur i Kryeministrit, pra i shtetit, nuk mund të mos merret si inkurajim i tërthortë i barbarisë. Shteti tregohet indiferent ndaj jetëve njerëzore që humben për ditë, një pjesë e të cilave ndodhin për shkak ose për faj të shtetit. Shteti është me faj se ka braktisur prej kohësh detyrën e tij për t’u kujdesur për jetët njerëzore, për të vëzhguar vatrat potenciale të sjelljeve antishoqërore, të cilat mund të përfundojnë në krime, për të harmonizuar mësimdhënien në shkollë me edukimin qytetar, të cilin qeveria e ka zëvendësuar me halucinacionet elektorale kundër opozitës. Shteti është në gabim, sepse ndjek dhe frymëzon politika që thellojnë pabarazinë dhe padrejtësitë shoqërore dhe demonizon çdo ide që hidhet në tregun e ideve për kufizimin e tyre. Ky gabim shndërrohet në faj kur shteti, pavarësisht llomotitjeve që bën, kufizon çdo ditë financimet për shkollimin, shëndetësinë dhe punësimin, duke i cilësuar mjaft prej këtyre çështjeve të huaja për të. Pra, roli i shtetit tonë mjaftohet si një soditës indiferent që vëzhgon nga një planet tjetër ato që ndodhin në tokën që qeveris. Shteti mund edhe të mos ndërhyjë në jetët individuale, familjare apo të komunitetit, ashtu siç do ta dëshironin viktimat që nuk i mbrojti dot. Por shteti mund të pakësojë ose amortizojë problematikat sociale, nëpërmjet parandalimit të shkaqeve dhe tharjes të rrënjëve të tyre. Cilado qoftë shtirja apo forca e shtetit, një përmasë e tij mbetet e padiskutueshme: monopoli i përdorimit të forcës ndaj krimit. Kultura e pandëshkueshmërisë nuk ka lindur nga mbrojtja që shtetarët i bëjnë vetes, por nga toleranca e pafalshme ndaj krimit. Por shteti ynë bën edhe faje të tjera. Në mjaft zona rurale dhe malore të vendit, shteti i poshtëron dhe detyron njerëzit të votojnë për të, duke përdorur një instrument të drejtpërdrejtë të politikave sociale: ndihmën ekonomike. Muaj të tërë para zgjedhjeve, qeveria bllokon grantet e ndihmës për zona të tëra dhe e “hap rubinetin” në javën e zgjedhjeve. Përdorimi i programeve sociale për të imponuar sjelljen votuese nuk është një gabim pa dashje, por një faj, për të mos thënë një krim që kryen shteti. Ky krim, duke u drejtuar kundër njerëzve të varfër, drejtohet më parë kundër vetë shtetit. Por shteti ynë nuk mund ta kuptojë këtë, sa kohë që qëllimi i termit qeverisës nuk është jeta e qytetarëve.
Top Channel