Fitojnë Vllaznia, Kastrioti dhe Bylis

28/10/2012 19:30

Vllaznia ka fituar në Shkodër minimalisht 1-0 me Shkumbinin, duke u ngjitur në vendin e dytë menjëherë pas Skëndërbeut. Ka qenë goli i Osmanit që në fillimin e lojës që ka vulosur shifrat 1-0 dhe deri në përfundim të 90 minutëshit asgjë nuk ka ndryshuar.

Kjo është e 4-ta për Shkodranët të cilët me sa duket e kanë kaluar momentin e vështirë të fillim sezonit.

Kastrioti ka zbritur me këmbë në tokë Besën, pasi takimi i zhvilluar në Krujë është fituar nga krutanët me rezultatin 2-0. Kavajësit e trajnerit Daja kishin mungesa në këtë takim duke regjistruar humbjen e dytë në këtë sezon.

Takimi ka nisur shumë mirë për Kastriotin që e gjen golin që në minutën e dytë me Semirjan Çelën. Në minutën 35-të krutanët shënojnë edhe golin e dytë me Gocajt dhe me këtë rezultat 2-0 mbyllet pjesa e parë. Në pjesën e dytë kavajësit luajnë të gjitha kartat, por ndonëse ishin diktues në lojë, krutanët me qetësi administruan rezultatin e pjesës së parë.

Bylis me sa duket ka pritur javën e tetë për të shpërthyer. Në stadiumin e tyre “Adush Muça” ballshiotët kanë shkatërruar 4-0 Laçin.

Laçianët u prezantuan në Ballsh me trajner të ri, Ramdan Shehun, i cili ka debutuar në kampionat me një humbje që Laçi nuk e njihte prej kohësh. Ballshiotët kanë diktuar takimin dhe në minutën e 24-t shënojnë me nigerianin Izuçuku.

Pjesa e dytë nis edhe më vrullshëm për vendasit, pasi që në minutën e tretë dyfishojnë me të njëjtin autor, Izuçukun. Më pas është radha e Jetmir Sefës për të shënuar dy golëshin që con shifrat në 4-0. Me këtë fitore Bylis shkon në kuotën e 11 pikëve duke kapur mesin e artë të renditjes.

Kukësi me sa duket u deh nga fitorja e thellë 4-0 në Kupë ndaj Tiranës, pasi në kampionat në fushën e tij barazon 1-1 me Teutën.

Top Channel