Ilir Yzeiri – Në qoftë se historinë kombëtare do ta përfytyronim si një tekst apo si një thënie, atëherë vetvetiu do të duhet të pyesim se kush e tregon këtë histori dhe kujt ia tregon.
Nëse do të përfillnim teoritë e thënies dhe të bashkëthënies, do të na duhej të përfytyronim se në këtë 100-vjetor kemi një bashkëbisedim mbi historinë e Shqipërisë. Që të kemi komunikim, pra bashkëbisedim, duhet që dikush të flasë ose të kemi një thënie me tregues të folësit dhe një palë tjetër të dëgjojë. Ky është rregulli numër një në komunikimin njerëzor. Në qoftë se do ta përfytyronim tekstin apo thënien e gjatë të historisë si një fjalim të parapërgatitur më parë, atëherë analiza mund të bëhej në disa rrafshe. Në periudhën komuniste folësi ishte zëri off siç quhet në komunikim, zëri që vjen nga lart, teksti zyrtar, i cili nuk mund të modifikohet dhe bashkëfolësi është publiku në tërësi, i cili nuk mund ta diskutojë tekstin që dëgjon as ta vërë atë në dyshim. Teksti i historisë ose thënia e gjatë historike, është veshur në këtë rast me hijen e teksteve të shenjta dhe vënia në diskutim mund të të çonte në burg dhe të të rrezikonte ekzistencën. Pas rënies së komunizmit, ra edhe ngrehina e thënies zyrtare historike. Institucionet që ishin marrë me përpunimin e kësaj thënieje, në të shumtën e rasteve, u mënjanuan dhe dogma komuniste apo nacionalromantike u zëvendësua me tekste heterogjene që ndërtoheshin nga grupe të caktuara sipas simpatisë apo pranisë historike në formacionet politike të paraluftës. Pas viteve ’90, në Shqipëri u vu në diskutim çdo gjë, deri edhe gjuha shqipe dhe origjina e saj. Bashkëbisedimi për shenjat apo historinë kombëtare u transferua nga aulat e institucioneve shkencore në studiot e mediave televizive. Thënia shkencore u zëvendësua me zhargonin publicistik dhe figura e folësit shkencëtar u zëvendësua me analistin. Lind kështu sharlatani mediatik që i di të gjitha. Përballë tij nuk mund të qëndrojë askush, sepse furia e sharlatanit nuk është argumenti shkencor, i cili që të shtjellohet kërkon mund e vite e vite pune dhe transmetohet te publiku përmes një prej formave më të vyera të komunikimit që është libri. Sharlatani ka si mjet diskursin publicistik dhe etiketimin.
Në këtë 100-vjetor po shfaqet edhe një anë tjetër e pështirë dhe e mbrapshtë që është protagonizmi shtetëror e qeveritar. Në Shqipëri ende nuk është ndarë vetëdija shtetërore nga vetëdija qeveritare. Shteti shqiptar sot po përgatitet të festojë 100-vjetorin e tij, ndërsa qeveritë që janë ndërruar në këtë shekull kanë qenë të shumta. Mirëpo veçanërisht në tri periudha historike, në atë të Zogut, të Enver Hoxhës dhe nën qeverisje e surragatos së këtyre të dyve, pra në qeverisjen e Sali Berishës, shteti identifikohet me qeverinë dhe qeveria i jep të drejtë vetes që të riformatojë historinë e shtetit. Historia e vendeve perëndimore e moderne shënjohet me lindjen e shtetit, me shenjën e veçantë të flamurit dhe me gjuhën. Të tria këto shenja dallojnë një entitet të veçantë që është shqiptari. Historia e Europës nuk është tjetër vetëm se histori luftërash e tragjedish për të imponuar njërin komb mbi një tjetër. Ne harrojmë se dy nga luftërat më të përgjakshme në historinë e njerëzimit kanë ndodhur në Europë dhe memoria e këtyre vendeve natyrisht që nuk është fshirë, por e ka ndërtuar të ardhmen jo duke e projektuar mbi të shkuarën, por duke mos e përsëritur atë. Ndërkaq, askush në Europë nuk mendon që të modifikojë shenjat e tij vetjake, datat historike. Ka një paradoks disa herë. Vendi ynë fqinj, Italia, feston me të madhe përvjetorët e një arme të ushtrisë, të dashur për ta, që është arma e Bersalierëve. Kjo armë i ka shërbyer edhe fashizmit dhe ka bërë edhe luftëra pushtuese, megjithatë italianët ndihen krenarë me të. Ndërsa ne sot kemi turp të festojmë krijimin e formacioneve luftarake që u ndeshën me këto formacione pushtuese. Pse? Sepse ne e kemi projektuar gjithmonë veten si viktimë të historisë dhe vuajmë nga kompleksi i të nënshtruarit. Debati i sotëm mbi historinë e Shqipërisë dhe droja për të qenë krenar me të shkuarën tonë na ka bërë që të ndihemi një popull i vockël e gjithë komplekse. Jemi gati të falim gjithkënd që nuk është si ne, jemi gati të miratojmë të gjitha marrëzitë nacionaliste të kombit më shovinist të Europës, që janë serbët, por nuk duam të vlerësojmë kontributin e jashtëzakonshëm të gjigantëve të çështjes shqiptare. Ndaj sot është bërë modë që sharlatanët dhe qeveria e sharlatanëve të vënë në diskutim çdo gjë. Eqrem Çabej dhe Shaban Demiraj janë dy nga kolosët e albanologjisë shqiptare. Në kurset që na jepte prof. Shabani dhe në tekstet e prof. Çabejit, kurrë nuk është thënë se shqipja vjen nga ilirishtja. Pse? Sepse nga kjo gjuhë nuk ka asnjë dëshmi. Gramatika historike shqiptare dhe studimet albanologjike kanë qenë gjithmonë të rezervuara në këtë pikë. Edhe prof. Demiraj në një nga librat e tij të fundit, “Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (Botimet “Shkenca”, 1999), thotë se nga dëshmitë historike është e sigurt që shqiptarët kanë qenë në këto troje që nga kohë shumë të lashta, se gjuha shqipe ruan dëshmi të marrëdhënieve me greqishten e lashtë e melatinishten. Shkenca e albanologjisë nuk u krijua në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por në Gjermaninë e shekullit XIX. Dhe dy shkencëtarët e mëdhenj që përmenda më lart kanë qenë shumë të rezervuar sa i takon historisë së shqipes së shkruar dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Ndërkaq, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të ndihemi krenarë me Pjetër Bogdanin fjala vjen apo me Budin dhe poezinë e tij, sepse letërsia jonë e Mesjetës është një nga faqet më të ndritura në historinë e popujve të Ballkanit.
Ndaj në këtë 100-vjetor ne bashkë me zërin off të historiografisë zyrtare po shpërbëjmë edhe pëlhurën e vetëdijes kolektive. Vetëdija kolektive në një vend si Ballkani, është e mbushur me data luftërash e betejash. Pak ditë më parë, Presidenti serb dhe udhëheqësit maqedonas deklaruan se do të festonin bashkë ditën e luftës shfarosëse kundër shqiptarëve. Në Greqi partia naziste i ka rritur tonet agresive ndaj shqiptarëve dhe rikujtimi i të vrarëve në luftën italo-greke po i nxeh gjakrat nacionaliste. Në gjithë këtë klimë arkaike ne shqiptarët tregohemi syleshë, kokulur, të turpëruar dhe të mbuluar nga kompleksi i njeriut të fundit, sepse kështu duan sharlatanët tanë që po e shkruajnë tekstin e historisë nga studio televizive që ngjajnë me skenat e vatrave të kulturës ku zhvilloheshin gjyqet komuniste. Shqiptarët mund të mos bien në një mendje për shumë sende politike, por ata nuk duhet ta harrojnë kurrë se flamuri i tyre kombëtar u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912, se shqiptari me emrin Ismail Qemali pati fatin historik që ta lidhë emrin e tij me emrin e shtetit shqiptar. Shqiptarët nuk duhet të turpërohen pse gjuha e tyre shqipe, e shkruar natyrisht, nuk është gjuhë aq e vjetër siç thonë sharlatanët. Shqiptarët duhet të ndihen krenarë sot se Kosova është e pavarur, se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë siç ishin vite më parë. Ky është shekulli i shqiptarëve. Për fat të keq, gjithmonë shqiptarë e sharlatanë kanë qenë bashkë, sepse sharlatani është pasqyra ku ne shohim veten tonë me gjuhën jashtë…
Top Channel