Shkrimi i pamundur i historisë

27/10/2012 00:00

Ndue Dedaj – Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të “provokojë” dijetarët e
fushës, të cilët janë në të drejtën e tyre për ta shkruar historinë. Aq
më pak të polemizojë me idenë e Kryeministrit Berisha për rishkrimin e
historisë, pasi me gjithë arritjet shkencore në këtë lëmë ende nuk kemi
një histori të shkruar si duhet.

Arsyet mund të jenë disa, kemi një traditë të vonë historiografie (kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore), ndiqej një metodologji studimore e ideologjizuar, nuk ishte mundësia e shfrytëzimit të arkivave të huaj etj; kurse në këta njëzet vjet mendojmë se ka penguar dhe një si autocensurë me ndikim nga e kaluara, për t’i parë dukuritë dhe figurat historike pak a shumë sipas prerjes bardhë e zi. Konsiderohen të mirëqena dijet që lidhen me lashtësinë, ilirët, autoktoninë e popullit shqiptar, epokën skënderbegiane, Rilindjen Kombëtare etj. Siç ka dhe së fundi përpjekje serioze, botime akademike, albume kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, dokumentarë televizivë, sipas studiuesve “për ta ndryshuar imazhin e deformuar që i kemi krijuar vetes” prej cungimit të të vërtetave historike. Se si kanë qenë lëkundjet në shkrimin e historisë mjafton të shohësh tekstin e vlerësuar “Historia e Letërsisë Shqipe” (1959), rrudhjen prej partishmërisë që pësoi kjo disiplinë me thellimin e revolucionit ideologjik (botimi i vitit 1983), hapjen e saj në kohën e sotme e, megjithatë, sërish mungesën e një historie të letërsisë sonë.

Për shkak të kulturës politike të mangët, te ne ende është një shoqëri fansash të historisë. Fansa të Fan Nolit. Fansa të Ahmet Zogut. Fansa të Ballit Kombëtar. Fansa të Enver Hoxhës. Kështu që është një iluzion se ne mund ta rishkruajmë historinë tash për tash, për shkak të indoktrinimit të vjetër e të ri. Nacionalçlirimtaren njëri e quan “luftë për çlirim kombëtar e shoqëror”, tjetri “luftë civile”. Por ka ravgime historike dhe për shumë më larg në kohë, aty ku duket se nuk preket, si në një tabu, lidhur me Skënderbeun. Ka që “zihen” për origjinën e tij në rrjetet sociale, se nga ishte ai, nga Dibra apo nga Mati, nga Hasi apo nga Mirdita?… Për datën e lindjes. Për gjatësinë trupore, ishte shtatshkurtër apo vigan? Pa thënë pastaj nëse e kishte pasur ndonjëherë shtysën e gjakmarrjes? Sikur i gjithë ky “debat” do t’i shtonte (apo dhe hiqte) gjë lavdisë së tij kombëtare dhe përtej kombit të vet. Nuk ka mjaftuar që në botë janë shkruar nja dy mijë libra për Heroin tonë Kombëtar, shto dhe një operë kushtuar tij nga Antonio Vivaldi, një prej kompozitorëve më të njohur botërorë, që u dashka dhe kjo kultura e “Facebook”-ut për ta ndritur. Mjerisht jemi ende një popull i padalë plotësisht nga lëkura e folklorit, që të mund të bëjmë histori moderne. Vini re, shkruajnë të djathtit për Mbretin Zog dhe askush nuk debaton, por sapo “përzihet” në këtë punë ndonjë i majtë, si ish-kryeministri Majko, ndryshon puna, atij i hidhen në qafë, përfshi dhe historianë, se ky nuk duhet të devijojë nga qëndrimi i asaj që përfaqëson, sikur të ketë dy Zog-u i Parë, njëri (pa medyshje) për të djathtën e tjetri (i revizionuar) për të majtën. Në  këtë situatë nuk mund të bëhet fjalë për rishkrim të historisë, sado evoluimit të mendimit historik falë daljes nga izolimi. Nuk po themi dhe se si do të kishim dashur të ishte historia jonë si shqiptarë, të kishim një mbret që me 7 prill 1939 të merrte maliherin e të dilte në malet e mbretërisë së tij, në krye të luftëtarëve kombëtarë, çka do t’i falte lavdinë e munguar atij; siç do të kishim dashur që demokracia popullore e pas ‘44-s të ishte vërtet e atillë dhe jo “demokraci” e dajakut stalinist të Koçi Xozes dhe arenë shembullore e luftës së (ftohtë të) klasave.

Na vjen hidhur apo jo, jemi një shtet që për rreth 70 vjet është qeverisur pa një diplomë universitare në krye (kur ka burgosur qindra të tilla) që nga vitet ‘20 të shekullit të kaluar. Ahmet Zogu përshkruhet nga bashkëkohësit si njeriu që vërtet shihte opera në Vjenë, po që “kishte jo më shumë se dhjetë klasë shkollë të bëra në Stamboll”, “një ushtarak i ri me kulturë të paplotë”, dhe pse si Mbret reformoi shkollën kombëtare. Po ashtu, Enver Hoxha, që dinte të sillej në sallonet mondane të Francës, nuk i mbaroi studimet e larta për drejtësi në Montpelje, dhe pse më vonë si udhëheqës i vendit pati prerë shiritin e Universitetit të Tiranës. Shqipëria kishte pasur njerëz me diploma universitare që në shekullin XV, madje pedagogë në universitetin e Padovës, si Gjon Gazulli etj., që të mos kishte formalisht me diplomë dy udhëheqësit saj të shekullit modern. E dimë se historia bëhet me ngjarje e jo me detaje, por dhe ngjarjet historike varet se me ç’sy i sheh. E keni vënë re, sapo shfaqen në panele historianët (filani e filani) shikuesit i dinë qëndrimet e tyre “majtas” dhe sapo të dalin (filani e filani) gjithashtu dihen qëndrimet e tyre “djathtas”, duke u vendosur madje ballë për ballë, njëlloj si politikanët! Duam apo nuk duam, ndër historianët tanë, disa i kemi të këtij krahu e disa të atij krahu…

2

Përse nuk do të mund të shkruhet historia jonë dhe për do kohë? Sepse janë duke dalë në shesh të vërteta që ne ende nuk duam t’i përfillim, të mësuar me klishetë tona historike. E shtrembëruar nga figurat kryesore të shtetit deri te njerëzit e popullit. Një familje në marrëdhënie jo fort të mira me regjimin mbretëror, gjeti një mënyrë për t’u bërë atdhetare, sajoi legjendën se gjatë Luftës së Parë Botërore kishte luftuar kundër pushtuesve të huaj, duke e “provuar” këtë dhe me dëshmitë e disa bashkëfshatarëve. Kaq u desh që të shpallej shtëpi patriote dhe të nderohej shtetërisht. Por së voni doli se puna kishte qenë ndryshe, sipas burimeve dokumentare, burrat e asaj shtëpie kishin pas vrarë në befasi disa ushtarë të pararojës së “Nemsës”, për t’i grabitur dhe ky ishte quajtur turp në atë kohë. Një tjetër familje nga malësia, që kishte rënë në fushë në ’50-n, kërkon me pahir që të shpallej “hero i heshtur” njëri nga të vetët, gjë që më në fund e arriti. Por kishte qenë vonë për t’iu gëzuar atij fakti. Pas ‘90-s ndërroi hulli, bëri ç’bëri dhe atë heroin e kthehu në pishtar të demokracisë dhe tani vazhdon t’i marrë “rrogën”. Këto sa ç’janë episode të veçanta, janë dhe përvijim i dukurive të caktuara, i lojës me historinë sipas rrethanave. Si do të mund të shkruhet historia kësisoj, kur deri dje Haxhi Qamilin e kishim “babazotin” e historisë fshatare kundër bejlerëve e tani një dallkauk turkoshak. Parodia e heronjve dhe e patriotëve është bërë si puna e diplomave false. Dhe sot vazhdojmë të japim tituj nderi me mik dhe jo sipas meritave. Aleksandër Dyma iu drejtua Panteonit francez pas dyqind vjetësh, kurse ne e paracaktojmë që në gjallje panteonshkretin për farefisin, ngaqë ende nuk kemi dalë nga psikologjia fisnore, as në jetën politike, as në atë sociale e morale. Po iu mbush mendja një zyrtari të lartë, nuk ka nder që nuk i bëhet dikujt. Për njëzet e katër orë firmoset çdo dekret. Kurse një person i pranuar përbotërisht, si Nënë Tereza, kalon vite e vite nga Lumnimi te Shenjtërimi. Ç’të thuash, për t’u bërë shenjt duhet një jetë dhe një përtej jetë, kurse për t’u bërë “nderi i kombit” tënd nuk duhet asnjë dekik.

Siç shihet, problemi ynë me historinë është kompleks, konceptual, moral, pasi është i ndërtuar mbi gjysmën përjashtuese, atë që “nuk bën”. Nga keqpërdorimi gati shekullor, na është krijuar një psikozë negativiste, përjashtuese, sapo përmendim fjalën kapedan, bajraktar, plak, parí, shtëpi e parë, kanun, vetëqeverisje etj., sikur këto të mos ishin funksione dhe atribute publike, meritore të një populli, por pjesa e zezë e tij dhe ato që meritojnë historinë të ishin vetëm kaçakët e komitët, shpesh plaçkitës dhe vrastarë, pra pjesa e pushkës, kundërshtisë ndaj ligjit, shtetit etj. Në Shqipërinë e sotme flitet kaq pak për formate të tilla intelektuale, si Luigj Bumçi, Mit’hat Frashëri, Mirash Ivanaj, Mustafa Kruja, Lef Nosi etj., përkundër tipit të revolucionarëve të çdo kohe që i kemi ngjitur në piedestal. Është 100-vjetori i Pavarësisë dhe vazhdojnë shakatë provinciale me historinë. Kush nuk po boton monografi historike, shkruan kumtesa, organizon sesione (kinse) shkencore. Ngjan se tash të gjithë po merren me këtë zeje: shoqata patriotike, klube veteranësh, vatra kulture, gjithnur anonimësh të etur për duk. Kush nuk po “fotografohet” me flamurin kombëtar. Nga klipet muzikore te tubimet politike çirrëse. Na kishte mbetur vetëm flamuri pa luajtur me të. Pa u mbështjellë për merak. Tani i erdhi radha dhe atij. Ta duam për përfitim politik. Tregtar të rinj flamujsh? Ndoshta…

Një popull që nuk i ka ardhur për mbarë historia, prej rrethanave historike më së shumti dramatike, mund të krenohet me qëndresën; por dhe të vetëqortohet për atë që krerët e tij nuk e bënë si duhet në shekull shtet, çka e bën të vështirë dhe të shkruarit e historisë, por duke e marrë atë diku me të mirë e diku me të keq.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA