ANDREA STEFANI – Po vijnë lajme se Bashkimi Europian (BE) mund të
rivendosë përsëri regjimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nëse vërtet do të ndodhë kështu, mund të thuhet që sot se nuk ka asnjë justifikim për një politikë që i kthen shpinës lëvizjes së lirë të sapoarritur, duke ju kthyer izolimit thuajse getoizimit të ballkanasve. Një politikë e tillë nuk do të ishte në frymën e respektimit dhe mbrojtjes së lirive të njeriut, frymë mbi të cilën është themeluar Europa. Të kufizojmë lirinë e lëvizjes së shumë njerëzve, sepse jo këta, por ca të tjerë, shumë më pak se këta, nuk respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë? Në cilën filozofi, doktrinë, legjislacion Perëndimor mund të gjesh mbështetje për të penalizuar kolektivisht një palë për të ndëshkuar krimin apo thyerjen e ligjit dhe të rregullave nga një palë tjetër? Si është e mundur që një bashkësi shtetesh dhe shoqërish të hapura si BE, ta gjejë zgjidhjen jo te hapja, por te mbyllja? Si është e mundur që BE të kërkojë rivendosjen e rregullit dhe të së drejtës me anë të padrejtësisë? Propozimi për rikthimin e vizave mund të ketë lidhje me pedantizmin dhe mendjengushtësinë burokratike, por kurrsesi me filozofinë e Europës.
***
Thonë se që nga koha kur janë liberalizuar vizat për Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi. Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë paska pasur rreth 15 mijë kërkesa për azil. Nuk thuhet se sa për qind të ballkanasve që kanë respektuar rregullat e lëvizjes pa viza përfaqëson kjo shifër. Por pa dyshim duhet të jetë mjaft e vogël. Por edhe në mos qoftë kështu nuk mund të mos pyesim: Po pastaj? Ç’kusur ka një serb, boshnjak, shqiptar, maqedonas apo malazez të vuajë kufizimin e lirisë së lëvizjes vetëm pse komshiu i tij nuk respekton rregullat dhe ligjet e kësaj lëvizjeje? Një e tillë praktikë të kujton “pedagogjinë e kazermave” ku e gjithë skuadra edhe mund të ndëshkohet për thyerjen e disiplinës nga një pjesëtar i saj. Dhe atje ndoshta, sado e padrejtë, merr një kuptim sepse skuadra, për t’i shpëtuar ndëshkimit, ia “shtrëngon rripat” të padisiplinuarit. Por ajo s’ka asnjë kuptim e zbatuar në një situatë kur miliona njerëz që zbatojnë apo nuk e shkelin rregullin, nuk kanë asnjë kontakt, pra as edhe mundësi ndikimi, mbi 15 mijë njerëz që e shkelin atë rregull. E drejta e lirisë së lëvizjes është individuale prandaj edhe përgjegjësia duhet të jetë e tillë. Me praktikën që tentohet të ndiqet, jo vetëm shumë shqiptarë të rregullt do vuajnë pasojat e shkeljeve nga shumë më pak bashkatdhetarë të tyre, por do të vuajnë gjithashtu edhe pasojat e shkeljeve nga ca mijëra serbë, maqedonas, malazezë apo boshnjakë. Dhe anasjelltas. Si pa e kuptuar, BE po u imponon vendeve të Ballkanit një tjetër integrim mes vedi, integrimin në ndëshkimin që vjen nga Europa, integrimin si viktima të një padrejtësie të përbashkët.
***
Heqja e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor është një arritje e madhe dhe me rrjedhoja shumë pozitive për këtë rajon që tenton t’i bashkohet Europës. Lëvizja e lirë nuk mund të mos ketë ndikim pozitiv në mendësinë, në politikën, ekonomikë, kulturën dhe përgjithësisht, jetën e ballkanasve. Lëvizja e lirë u dha fund trafiqeve të njerëzve, si dhe tregtimit të vizave. Rivendosja e vizave do kishte ndikim të kundërt me pasoja shumë më të këqija se ato të shfaqura para heqjes së vizave. Sepse do qe një sëmundje që e rikthyer godet më ligsht. Më e pakta, trafikantët e të gjitha llojeve do fërkonin duart ndërsa procesi i integrimit do të humbiste një aleat të rëndësishëm sikundër është liria e lëvizjes. BE, ministrat dhe parlamentarët e tij kanë të drejtë t’u kërkojnë llogari qeverive të vendeve Ballkanike se përse nuk kanë marrë masat e duhura që të mos ketë kërkesa për azil nga shtetasit që ato qeverisin. T’u kërkojnë llogari përse qeveritë e Ballkanit nuk punojnë sa dhe si duhet që t’i bëjnë shtetet e tyre më të begatë, më të paqtë dhe më tërheqës për vetë shtetasit e tyre duke mos mbetur aq problematikë sa të nxisin jo dëshirën për të jetuar në to, por “arratisjen” prej tyre. Por BE nuk ka aspak të drejtë të ndëshkojë qytetarët e këtyre vendeve vetëm sepse qeveritë e tyre po dëshmojnë një paaftësi të mpleksur me autokratizëm dhe korrupsion. Aq më tepër kur vetë BE po i shpërblen këto qeveri me dhënien e statusit të kandidatit për progresin e bërë në shtetet e tyre. Jo pak nga këto qeveri mburren se e kanë bërë vendin e tyre “Europë”. Të paktën kështu ndodh në Tiranë. Një mburrje që diskreditohet nga dëshira e pashtershme për ikje. Për të mbërritur te paradoksi i fundit: Edhe progres drejt Europës edhe kthim prapa te regjimi i vizave?! Këtu diçka nuk shkon.
***
Po në fund të fundit, ç’mund të bëjë BE për të penguar valën e azilkërkuesve nga Ballkani që sipas njoftimeve po vjen në rritje nga viti në vit? Përmbytjet nuk ndalen duke mos lejuar që valët e detit të prekin brigjet, por duke ndërtuar barriera. Një barrierë e tillë për shkelësit në rastin në fjalë është zbatimi i ligjit dhe rregullave të lëvizjes së lirë pa viza. Gjithkush dhunon këto rregulla duhet të ndëshkohet. Duke u kthyer forcërisht në atdheun e tij, si dhe duke ju hequr e drejta për të hyrë në vendet e BE-së për 5 vjet. E nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme për të nxitur respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë, mund të aplikohen ndëshkime edhe më të forta. Por kurrsesi nuk mund të jetë i drejtë ndëshkimi kolektiv i vendeve dhe njerëzve të rajonit. Nuk do t’i shërbente askujt. Sepse në një rast të tillë duke u përpjekur të mbrojë të drejtën e vet, BE do të bënte një padrejtësi që jo vetëm nuk do t’i shërbente aspak zgjerimit, por mund ta dëmtonte rëndë atë. Pra dhe vetë Europën. E mbi të gjitha, kjo nuk do të ishte në frymën e saj të lirisë.
Top Channel