Mustafa Nano – Silvio Berlusconi ka qenë në ndërdyshje gjithë këta muaj,
që kanë rrjedhur pas dorëheqjes së tij prej postit të Kryeministrit. Ta
lërë për fare politikën aktive, apo të rikandidojë sërish në zgjedhjet e
ardhshme për të njëjtin post që la?
Të parën, d.m.th largimin, ia kërkonin zëra nga e majta, ndërsa të dytën, d.m.th rikandidimin, ia kërkonin besnikët dhe mbështetësit; ndoshta dhe egoja e pasioni për pushtetin. Nga koha në kohë, ai ka lënë të kuptohet herë largimin, herë rikandidimin, por këtë e ka bërë, me sa duket, për të sonduar opinionin. Dhe më në fund, ka marrë vendimin, që ngjan të jetë i pakthyeshëm.
Ka shumë njerëz që janë të idesë se kurrë nuk i dihet kur vjen puna te premtimet e zotimet e Berlusconi-t, dhe këta janë bërë të gjallë dhe tani. Me t’u informuar mbi këtë vendim të Berlusconi-t, e përditshmja italiane më me ndikim, “Il Corriere della Sera” organizoi shpejt e shpejt një sondazh të ngritur mbi pyetjen: Jeni të mendimit se ai do t’i qëndrojë fjalës së dhënë? Romano Prodi, ish-kryeministri që e ka mundur dy herë Berlusconi-n në zgjedhje, e që prej kohësh u është larguar reflektorëve të medias italiane, u ngut ta shfrynte pak patetizmin e gazetave. “Prisni pak para se të bëni titujt, pasi asnjëherë nuk i zihet besë atij”, tha ai. Ndërsa Umberto Bossi la të kuptohej se “nuk e lënë gjyqet e pambyllura të ikë nga politika”. Kanë të drejtë dyshimtarët? Këtë radhë ngjan se jo; ngjan të jetë momenti i së vërtetës.
“Po largohem, dhe tash e tutje do të jem në rolin e atij që do të japë këshilla e do të shkruajë kujtime, por pa futur hundët në këto punë që po i lë njëherë e mirë”, tha ai. Dhe sintetizoi arsyen, që e ka shtyrë të marrë këtë vendim: “Jam futur në politikë prej dashurisë për Italinë, e po e lë politikën për të njëjtën arsye, prej dashurisë për Italinë”.
Me këtë frazë nuk mbyllet thjesht karriera politike e Berlusconi-t. Mbyllet një kapitull në historinë politike të Italisë (“Mbyllet një epokë”, thoshte dje një gazetar që anon majtas, Massimo Giannini). Mbyllet një kapitull që filloi me rënien e Murit të Berlinit, e me Tangentopolin (fushata kundër korrupsionit politik të ndërmarrë nga një grup prokurorësh italianë), që nxori si nevojë lindjen e një klase të re politike, dhe mbyllet me krizën e madhe ekonomike që ka përfshirë Europën, e që në Itali po shtron nevojën e një klase tjetër të re politike. Në të majtë ka nisur një diskutim (i nxitur nga kryebashkiaku i Firences, Matteo Renzi, një yll në ngjitje i të majtës në fqinjin tonë të përtejdetit), që synon nxjerrjen në pension të bashkudhëtarëve të Berlusconi-t, si Veltroni, D’Alema etj., dhe ikja përfundimtare e Berlusconi-t duket sikur e shtrin, dhe e mbyll, në mënyre transversale këtë diskutim, që me siguri do finalizohet.
Përgjithësisht, njëjtësimi i një periudhe historike me emrin e një personaliteti të vetëm është një teprim, por në rastin e Berlusconi-t nuk është kështu. Dhe prandaj, nuk është pa gjë nënvizimi se mbyllja e karrierës së tij është mbyllja e një kapitulli të historisë. Silvio Berlusconi ka bërë kohën e mirë e të keqe gjatë 18 viteve të fundit. Ai e ka dominuar jetën politike në të mirë e në të keqe. Ai ka qenë në fokus të mass-medias italiane e botërore, dhe ka qenë në fokus me fitoret, me dështimet, me gafat e me skandalet.
Një vlerësim i saktë i bëmave të tij do duhet kohë të bëhet, por mund të thuhet qysh tani me siguri, se ai i ka zhgënjyer pritmëritë që mbolli në vitin 1994, kur bëri me dije se do t’i futej politikës e se do të krijonte partinë e tij. “Italia është vendi që unë dua, këtu kam rrënjët e mia, shpresat e horizontet e mia. Këtu kam mësuar nga im atë, e nga jeta, zanatin e sipërmarrësit, këtu më është kultivuar pasioni për lirinë”, tha ai mes të tjerash atë mot, me një gjuhë vizionari. Do duhej që ai të largohej duke thënë se “kam bërë këtë e kam bërë atë”, por nuk mundi veçse të përsëriste në një version minimalist frazën e njëzet viteve më parë: “Po largohem prej dashurisë për Italinë”. Është njësoj sikur të thoshte se “po largohem për të mirën e Italisë”. E prandaj ka të drejtë Massimo Giannini, kur thotë se mënyra se si ai po ikën është një kapitullim, s’ka gjë se një gazetar tjetër, në të djathtë, Giuliano Ferrara, ngaqë nuk ia nxinte goja termin ‘kapitullim’, kishte zgjedhur një interpretim më të butë. “Ha preso atto della realtá”, u shpreh ai, që me një shqipe të shkujdesur e perifrazuese do bënte: Kuptoi se në këto rrethana ish i tepërt, i panevojshëm, ndoshta i dëmshëm.
Çfarë do të ndodhë në Itali pas ikjes së Berlusconi-t? Vështirë të thuhet ndonjë gjë me saktësi, pasi fatet e këtij vendi të madh europian janë të lidhura me shumë fije dhe me fatin e vetë kontinentit të vjetër. Por që Italia pa Berlusconi-n nuk do të jetë njësoj me Italinë me Bersluconi-n, kjo as që duhet vënë në dyshim. Dhe gjëja e parë që pritet është një këndellje demokratike e një çlirim apo rikuperim energjish, gjë që ndodh gjithnjë pasi ikën një leader i fortë. Berlusconi ish karizmatik, kish fuqi të madhe financiare, kish pushtet të madh mediatik, e kish partinë si ndërmarrje të vetën, dhe do të ish mjaft kjo listë ‘cilësish’ të tij për të marrë me mend se ikja e tij do të sjellë një ndryshim vetvetiu.
Po Italia nuk ka nevojë thjesht për një këndellje të demokracisë, e cila esencialisht nuk i ka munguar as në kulmin e dominimit berluscon-ian të jetës publike e politike. Italia e sotme ka nevojë për të ndërtuar një sistem të ri qeverisjeje më të zhdërvjellët, më eficient, më transparent, më funksional, e më pak shkapërdar; Italia e sotme ka nevojë për reforma të thella, e kjo nuk është një sfidë e lehtë, me apo pa Silvio Berluscon-in.
Top Channel