Z.Berisha, ligjet i kemi të forta, por duhen zbatuar

25/10/2012 00:00

MENTOR KIKIA – Duket se shoqëria jonë ka dalë nga binarët. Gara e
vrasjes së grave e vajzave nuk ka të sosur. Pas makabritetit të prerjes
së kokës së një vajze, një tjetër person, në një fshat të Durrësit,
tenton të eksperimentojë një mënyrë të re të vrasjes së gruas (në fakt
të ish-gruas, por shqiptarët mendojnë se edhe pas divorcit, vazhdojnë
t’i ruajnë të drejtat e pronësisë mbi gruan).

Ai kishte shkuar në vendin e punës së ish-gruas, një parukeri, e kishte rrahur e më pas e kishte lyer atë me benzinë dhe po përgatitej t’i vinte flakën. Vetëm ndërhyrja e policisë, falë një telefonate të gruas, kishte shpëtuar tragjedinë e radhës. Këtë vjeshtë, kronika e policisë ka qenë e mbushur me lajme të tilla dhe mesa duket nuk dashka të ndaloka.

Por çfarë po ndodh? Përse njerëzia ka dalldisur dhe ka hequr frerët e fantazisë kriminale? Në vend të një analize profesionale psikologjike, nëse kjo është pasojë e ndonjë krize të përgjithshme sociale apo diç tjetër, doja të ndalesha në dy aspekte të kësaj dalldie kriminale kolektive.

1 – Femrat janë viktima më të shumta të kësaj dhune, sepse ato nuk denoncojnë. Dhjetëra projekte të donatorëve ndërkombëtarë kanë shkuar për seminare e tryeza hotelesh në Tiranë, ku konkludohet se dhuna të bën dëm dhe se femra është e dhunuar. Në fakt duhet që në këtë vend të nxitet kultura e denoncimit. Vrasja apo djegia është akti final i një dhune që është ushtruar sistematikisht ndaj grave. Por ato janë pajtuar në mënyrë të heshtur, për shkak të varfërisë, mjedisit patriarkal ku jetojnë, për shkak të pamundësisë për të ndërtuar një jetë tjetër dhe shumë arsye të tjera që lidhen me kushtet social-ekonomike. Ato i nënshtrohen në mënyrë të heshtur kësaj dhune, ndërsa më të zonjat, në kulmin e shpërthimit, arrijnë t’i vrasin burrat dhe ta shtyjnë pjesën tjetër të jetës pas hekurave. Të pakta janë ato që arrijnë të denoncojnë. Por edhe kur denoncojnë, sërish ato nuk i shpëtojnë dhunës. Shteti nuk ka mekanizma, ose nuk arrin t’i zbatojë mekanizmat ligjore për të garantuar mbrojtjen e këtyre grave. Urdhrat e mbrojtjes janë disa vendime formale gjykate, që as respektohen dhe as prodhojnë efekt. Burri vazhdon të injorojë vendimin e gjykatës dhe të bëjë atë që ka pasur ndërmend të bëjë edhe para tij. Dhe sërish sepse ai nuk përballet me forcën e ligjit.

2 – Pikërisht për shkak të kësaj të fundit, pra mospërballjes me ligjin, mosfunksionimit të drejtësisë, njerëzit nuk kanë frikë të bëjnë ç’të duan. Le të biem dakord: Drejtësia padyshim që do ta dënojë një monstër që i pret kokën një vajze, edhe një burrë që çan me hanxhar gruan, apo i vë zjarrin së gjalli asaj. Kështu asnjë sharlatan gjykatës e prokuror nuk merr dot para. Por ajo mund ta kishte ndëshkuar atë edhe më herët, kur ai e kishte rrahur dhe dhunuar, pa shkuar deri te krimi barbar. Pikërisht nga mosfunksionimi i drejtësisë, njerëzit e kanë vrarë frikën.

Mendoj se gjithkujt, në një moment ta caktuar, i aktivizohet instinkti i egërsisë, i hakmarrjes dhe vendosjes së drejtësisë përmes dhunës. Por njerëzit mendohen për atë që mund të bëjnë, pikërisht për pasojën që ajo do të ketë. Por si ka mundësi që një njeri nuk ka frikë kur vret? Përse nuk ka frikë kur i shkon ish-gruas në shtëpi apo dyqanin e saj, e lyen me benzinë dhe bëhet gati t’i vërë flakën? Këta dhe shumë të tjerë, që vrasin edhe për një vend parkimi, për një gërvishtje makine, për një lojë bixhozi etj., nuk kanë frikë, sepse ata nuk i tremben ndëshkimit ligjor. Jo sepse janë gjenetikisht trima dhe imunë ndaj instinktit të frikës, por sepse kështu janë edukuar. Dhe këtë mjedis shpërfillës ndaj ligjit e ka prodhuar pikërisht drejtësia e munguar. Gjykatat shqiptare janë mbushur sot me vendime nga më absurdet, në shkelje të hapur të ligjit. Edhe gjykatësit vetë nuk kanë frikë ta shkelin ligjin. Askush nuk e ka frikë ligjin, që nga ai që nuk respekton semaforin, ai që vjedh, ai që shpërdoron detyrën, deri tek ai që djeg gruan si të ishte kërcu. Sepse të gjithë mendojnë se mund t’ia hedhin ndëshkimit, ku me miq e ku me para. Dhe kjo është bërë kulturë tashmë, është bërë frymë, është bërë zakon.

Askush nuk e shikon drejtuesin e një automjeti në një fshat skajor të Gjermanisë, Suedisë apo Britanisë, nëse e respektoi rregullin apo jo. Por ai e bën dhe e bën sepse mendon: Po sikur të më kapin? Dhe nëse kapet, ai e di mirë se si ndëshkohet dhe nuk ka shanse t’i shpëtojë ndëshkimit. Dhe kjo frikë i ka hyrë në gjak, duke u shndërruar në njeri i “trembur ligjërisht”, por që sot quhet një qytetar europian i edukuar. Duhet të jemi të qartë, nuk ka asnjë shoqëri në botë të imunizuar nga krimi. Por shpërfillja e ligjit këtu te ne është kaq masive sa prek kufijtë e abstraksionit, ndërsa absurditeti i shkaqeve të vrasjeve nuk ka të dytë në kontinent. (Një vajzë vritet për gjakmarrje, ndërsa shumica e grave viktima, janë vrarë pse kanë guxuar t’u kthejnë fjalën burrave, apo sepse kanë tentuar të divorcohen).

Në pamundësi për të zbatuar ligjet, ne gjithmonë u drejtohemi forcimit të masave ligjore. Pikërisht kësaj iu drejtua edhe Kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë, kur tha se do të vendosim dënimin me burgim përjetë, për gjithë ata që vrasin gratë.

Një propozim tërësisht emocional dhe propagandistik. Nuk mund të vendosësh dënim taksativ kur Kodi Penal e parashikon shumë mirë dënimin me burgim përjetë për këtë vepër penale. Dhe kjo nuk mund të bëhet, pasi si do të veprohet kur krimi kryhet në kushtet e vetëmbrojtjes, sepse ne e dimë se ka edhe gra që dinë të përdorin armën e zjarrit dhe sëpatën?

Z. Kryeministër, nuk duhet të forcojmë ligjin jo, pasi edhe sikur të vendosim me ligj që ai që vret gruan, do të piqet në hell, sërish do të ketë të çmendur që nuk do të mendohen dy herë. Pasi ai nuk do të jetë ndëshkuar më parë dhe pasi e ka rrahur tërë jetën mendon se edhe mund ta djegë gruan dhe se kjo është e drejta e tij. Ne sot kemi nevojë të forcojmë zbatimin e ligjit. Dhe, nëse do të kishim nevojë për forcim ligji, le ta bëjmë atë për gjykatësit e korruptuar, këta matrapazë që kanë nxjerrë drejtësinë në pazar dhe po e shesin si mall.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA