
Banka Botërore e konsideron Shqipërinë si vendin me sistemin më të
vështirë tatimor në rajon dhe një nga më të vështirët në botë, i cili
krijon kosto dhe penalizon biznesin.
Në raportin e fundit ‘pajing takses 2013’, ku analizohen me hollësi sistemet fiskale në 185 ekonomi të botës, Shqipëria renditet në 25 vendet e fundit. Sipas bankës, shkaku kryesor për këtë janë procedurat e shumta dhe barra e larte administrative që i ngarkohet biznesit, krahasuar me vendet e tjera.
Raporti thotë se në Shqipëri, një ndërmarrje duhet të kryejë mesatarisht 44 pagesa taksash në vit. Këtu përfshihen kontributet, tatimi mbi fitimin, TVSH-ja dhe taksat e tjera lokale. I njëti tregues në vendet e europës lindore dhe azisë qëndrore është mesatarisht 28 pagesa, ndërsa në vendet e zhvilluara të OECD është gati 4 herë më pak ose 12 pagesa.
Numri i lartë i pagesave rrit koston dhe kohën që taksat i marrin biznesit. Sipas Bankës, në total një ndërmarrje në Shqipëri harxhon 357 orë në vit për të mbyllur përgatitjen e dokumentave dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore. Në rajon kjo kohë është 260 orë, ndërsa në vendet e zhvilluara një biznesi përgatitja dhe pagesa e taksave merr vetëm 176 orë në vit.
Thjeshtimi i procedurave tatimore është një nga treguesit, ku Shqipëria ka ecurinë më të dobët në klimën e biznesit. Në vitin 2008 Shqipëria tek të dy treguesit, si numri i pagesave ashtu dhe koha, renditej më mirë se mesatarja e rajonit. Por gjatë kësaj kohe vendet e tjera i kanë lehtësuar pagimin e taksave për biznesin, ndërsa në Shqipëri ato kanë mbetur të pandryshuara. Rezultati sipas Bankës Botërore është se ndonëse klasifikohet si një nga vendet me taksat më të ulëta, Shqipëria ka sistemin fiskal me burokracitë dhe procedurat më të rënduara, jo vetëm në rajon por edhe në botë duke rënduar biznesin me kosto shtesë.
Top Channel