Ciklizëm, Armstrong humbet zyrtarisht titujt

22/10/2012 13:40

UCI (Unioni Ndërkombëtar i Ciklizmit) i ka hequr zyrtarisht Lance Armstrong-ut shtatë titujt që ka fituar në Turin e Francës nga viti 1999 deri në vitin 2005.

Në këtë mënyrë UCI ka lënë në fuqi vendimin e USADA-s (Agjensia Amerikane Anti-Doping) në ditën që pritej nëse Unioni do të mbështeste ndëshkimin apo do e apelonte në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (TAS) vendimin e marrë para disa javësh.

Presidenti i UCI, Pat McQuaid, theksoi se “çiklizmi ka të ardhme dhe në këtë të ardhme nuk ka vend për sportistë si Lance Armstrong” duke ratifikuar kështu heqjen e shtatë titujve “Tour de France”.

“Lance Armstrong nuk ka më vend në çiklizëm, duhet harruar përgjithmonë”, u shpreh McQuaid.

Organizatorët e Turit të Francës po prisnin vendimin e UCI-t për të fshirë emrin e çiklistit amerikan nga regjistri i fituesve.

Top Channel