Bumerangu i pashmangshëm për “Kryeministrin” Rama

22/10/2012 00:00

Arben Manaj – Nëse do të marrim të mirëqenë fitoren e ardhshme të
opozitës në Shqipëri, dhe po aq të mirëqenë se konfigurimi i ardhshëm
politik në Parlament nuk do të jetë i atillë që Edi Rama të mos jetë i
detyruar të lërë postin e kryeministrit ndaj ndonjë aleati tjetër, për
hir të ndërrimit të kuajve të karrocës, premiershipi i udhëheqësit të
opozitës do të jetë sfidues dhe tejet i vështirë.

Mandati i parë të paktën, do të jetë një mandat konsumues energjish të mëdha politike, për zhbërjen e zullumtrashjes politike dhe institucionale të trashëguar nga martesa e dytë politike e Berishës me Shqipërinë.

Nëse Berisha nuk lë “partinë-sekt”, pas një humbjeje eventuale dhe do të vazhdojë të jetë i pranishëm si rekordmen në politikën shqiptare, i dyti pas Enver Hoxhës, pas Luftës së Dytë Botërore, ai do të jetë një vështirësi plus dhe e shtuar, në përballjen politike në Parlament dhe në qeverisjen e përditshme të Shqipërisë, me sfida akoma më të mëdha integruese sesa sot.

Them vështirësi plus, për shkak të zgjatimeve dhe pasardhësve të tij qartësisht politik nëpër institucionet kryesore të vendit, që pa pikën e dyshimit, do të jenë jo vetëm nën direktivat e drejtpërdrejta bllokuese dhe minuese të Berishës për politikat e qeverisë së ardhshme të drejtuara nga socialistët, por edhe për shkak të kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në krye të institucioneve kryesore, të kapura tashmë nga Berisha dhe Partia Demokratike.

Këto institucione fillojnë nga Presidenca e Shërbimi Informativ tek ato të drejtësisë, ku spikatin Këshilli i Lartë i Drejtësisë e Prokuroria e Përgjithshme, por dhe Gjykata Kushtetuese, pa harruar edhe KQZ, dhe disa të tjera institucione më pak kokëçarëse.

Në një shoqëri normale demokratike, qoftë edhe postkomuniste, ku tentohet në maksimum, që institucionet të operojnë në bazë të rregullimit ligjor të brendshëm institucional, imunë dhe larg partizanllëkut politik, ardhja në krye të këtyre institucioneve të njerëzve, edhe pse me ADN të identifikueshme politike (pa bërë analizë fare gjaku), por mbi të gjitha, po aq të identifikueshëm nga ADN-ja profesionale, nuk do të ishte fundi i botës.

Por fatkeqësisht në Shqipëri kjo nuk ekziston në praktikë dhe nuk mund të pretendohet, për më tepër që faktet e përditshme të konfirmojnë jo të kundërtën.

Zëvendësimi i tyre, i cili do të duhet të kalojë përmes procedurash ligjore dhe skadencash të afateve të përcaktuara kohore, do të jetë një detyrë titanike dhe e lodhshme, çka do të konsumojë dhe harxhojë energji jo të pakta, në identifikimin e makinacioneve tejkaluese të këtyre personave të telekomanduar politikisht nga distanca dhe praktikave bllokuese klandestine dhe të rafinuara, nëse kanë klasin e duhur në fshehjen e tyre, për të qenë korrektë politikisht.

Por, në fund të fundit, për hir të së vërtetës, për mendimin tim, për këtë zullumtrashje, përveç Kryeministrit aktual që ka luajtur si shahist dhe me lëvizje e qitje të largëta për të mbrojtur krahët e vet politik dhe personal, padyshim në mënyrë të debatueshme ka përgjegjësi edhe opozita e sotme, dhe specifikisht Kryeministri në pritje ose në hije.

Mbështetësit e tij mund të argumentojnë dhe justifikohen se opozita ka bërë gjithçka brenda suazave dhe hapësirave të lejueshme ligjore e praktike, qoftë në Parlamentin apo jashtë institucioneve për të bllokuar rimarrjen e të gjitha pushteteve nga Berisha gjatë këtyre thuajse 8 viteve.

Edhe pse në nusërimin e dytë politik, dhe të parin në këtë mijëvjeçar, pas humbjes së Kryeministrit Fatos Nano, Berisha arriti të mashtronte shumë shqiptarë, qoftë edhe analistë të spikatur politik, me demagogjinë e tij personale dhe të përforcuar nga mediat pranë tij, se ai kishte ndryshuar dhe nuk ishte më Berisha i para ‘97-s, në uzurpimin e institucioneve kryesore politike në vend, pa të cilat ai nuk e koncepton dot mbretërimin politik, fakt është se në 2012-n dhe me të gjitha gjasat në 2013-n, pasi të ketë marrë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, Berisha është në të njëjtin pozicion kontrollues sa edhe në ’96 – ‘97-n.

Dallimi i vetëm është se nuk ka krizë piramidash kallashnikov-marrëse, si atëherë, por ka më shumë ndikim në segmente okulte dhe ndikuese politike, intelektuale e mediatike, që ia bëjnë më të lehtë fshehjen e putinizmit në Shqipëri.

Opozita ka pasur mundësira për të qenë më këmbëngulëse dhe elastike në luftën e saj politike, si qeveri në hije, kur është vendosur për disa nga krerët e institucioneve kryesore në vend, për të cilët Berisha ka dashur me hir ose pahir t’i merrte nën hiqmin e tij, sot si Kryeministër, por edhe nëse do të ishte kryeopozitar, do të kishte luftuar me të gjitha mjetet politike dhe jopolitike, ligjore ose joligjore, që ai vetëm i ka ekskluzivitet.

Në pamundësi për caktimin e njerëzve të saj në këto institucione, me përjashtim të Avokatit të Popullit, që në rastin e grevës së ish të përndjekurve, edhe ata popull, reagoi habitshëm shumë vonë, të paktën mund të kishte luftuar më shumë për kandidatura më neutrale dhe me integritet ose potencialisht fleksible ndaj trysnive politike, në rastin konkret nga Berisha dhe partia e tij.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe me politika dhe qasje të caktuar ekonomike, efektet dhe konsekuencat e të cilave pritet të jenë një barrë e rëndë në administrimin e ekonomisë shqiptare post-berishiane.

Kjo mund të ketë efekt të rëndë në imazhin e Kryeministrit të radhës, që po themi parimisht do të duhet të jetë z. Rama, për menaxhimin e andrallave dhe trashëgimisë kapicë, politike ekonomike dhe institucionale të qeverisjes së koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike.

Tolerimi i qortueshëm nga opozita i zullumtrashjes nga Berisha gjatë këtyre viteve me objektivin politik se një gjë e këtillë do e dobësojë dhe bëjë atë më të pazgjedhshëm elektoralisht, për shkak të pasojave që po i shkakton vendit me politikat e tij qeverisëse, do të jetë në mënyrë të pashmangshme një bumerang për Kryeministrin potencial Rama.

Gjithmonë, në rast se shqiptarët me popullsinë më të re në Europë nuk do t’ia lejojnë luksin vetes që pas zgjedhjeve të reja të administrohen dhe qeverisen politikisht nga një 70-vjeçar.

I rimandatuari i stërlodhur, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të vazhdojë zullumtrashjen e Shqipërisë dhe eliminimin e çdo opozite efektive në vend, dhe mbi të gjitha eliminimin e çdo shprese se ky vend njeh normalitet demokratik, që vjen, siç vjen vetëkuptueshmërisht në shumicën dërrmuese të rasteve në botën demokratike, përmes rotacionit konstant politik, e në rastin më të keq, pas çdo mandati të dytë të çdo qeverisje normale.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA